Analisti politik Azdren Shala ka thënë se nuk pret që kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, të fitojë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai ka deklaruar se prishtinasit e dinë që ai, për çdo vendim, do ta pyesë qendrën dhe se nuk do të jetë në gjendje të marrë vetë vendime për Komunën e Prishtinës, nëse del i pari.
Tutje, Shala theksoi se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e ka dëshirë dhe frikë marrjen e Prishtinës në drejtim. Sipas tij, mospuna në ekzekutiv e bën të pasigurt edhe në drejtimin e nivelit lokal të kryeqytetit, njofton Klankosova.tv.
“Nuk është se Albin Kurtit nuk i pëlqen edhe në Prishtinë pushteti. Por pse e refuzon? Është një fakt: ai, përgjatë katër viteve sa ka qenë kryeministër, ka vërejtur një gjë që është mirë për ne, qytetarët, dhe për të gjithë vendin. I ka rënë fuqia e propagandës, nuk e ka më agjitacionin e propagandës brenda.”
“Nëse i krahasojmë mandatet e Shpend Ahmetit, mandati i parë është pakrahasimisht më i dobët se i dyti; i dyti perceptohet më i dobët për shkak se nuk e ka pasur mbrapa agjitacionin e propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje, pra ka qenë më PSD. Që do të thotë se Kurti e ka edhe dëshirë edhe frikë Prishtinën, nëse e merr, nuk i funksionon propaganda me katër vite qeverisje që është dështim lokal. Andaj, për mua e penalizon Hajrulla Çekun — ai nuk është kryetar autonom, përnjëmend është komplet vegël që e dirigjon qendra, që do të thotë asnjë vendim nuk e merr vetë”, ka thënë Shala.
Shala pohoi se beson që në balotazh do të shkojnë Përparim Rama i LDK-së dhe Uran Ismaili i PDK-së.
Njëjtë thekson se balotazhin e meritojnë edhe Bekë Berisha i AAK-së dhe Besa Shahini e PSD-së.
“Unë bëj pjesë te ata që besojnë se në balotazh do të shkojnë Përparim Rama dhe Uran Ismaili. Jo pse janë më të mirët, dorën në zemër. Por fuqia politike që e kanë mbrapa, Bekë Berisha dhe Besa Shahini, do të vazhdojë t’i penalizojë. A është dashur të ishin në balotazh? Po valla, të dy, sepse të dy kanë planprogram dhe janë konkretë”, tha Shala. /Klankosova.tv
The post Shala: Edhe Besa Shahini edhe Bekë Berisha do duhej të shkonin në balotazh (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.