Ajo tha se qëllimi i këtij formati është të tregojë vështirësitë e jetës së përditshme në Prishtinë, ku çmimet e qirave dhe të banimit janë tejet të larta.
Shahini tha se e ka nisur këtë aktivitet me pagën mesatare të kryeqytetit, për të dokumentuar shpenzimet reale të qytetarëve.
“Këtë aktivitet sot po e nisim me 650 euro, që është edhe paga mesatare në Prishtinë. Në ditët dhe javët në vijim, ne do t’i dokumentojmë shpenzimet e zakonshme të qytetarëve në Prishtinë për të parë se sa është e përballueshme jeta në kryeqytet. Veç sot, ditën e parë, ne i shpenzuam 350 euro dhe morëm këtë banesë me qira. Na kanë mbetur edhe 300 për t’i shpenzuar gjatë katër javëve të ardhshme. 350 euro qiraja është pak a shumë sa paguan Teuta në Bregun e Diellit për banesën e saj me qira, apo sa paguan Frashëri kredinë për banesën e tij këtu te lagjja Mati 1”, tha ajo.
Duke folur për problemet që e rëndojnë më së shumti buxhetin e familjeve në kryeqytet, Shahini theksoi se janë dy lloje shpenzimesh që po i rëndojnë më së shumti qytetarët.
“Janë dy lloje të shpenzimeve që e rëndojnë më së shumti buxhetin familjar. E para është arsimi – prindërit dhe kujdestarët harxhojnë shumë për çerdhe, kopshte, qëndrim ditor dhe për shkolla. E dyta është banimi. Si qiraja, ashtu edhe blerja e banesës është shumë e shtrenjtë në Prishtinë. Programi ynë i adreson këto dy shtylla”.
Ajo shtoi se çmimet e banimit në kryeqytet janë të papërballueshme dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
“Çdo shpenzim mbi 30 për qind të pagës që shkon për banim – si për qira ashtu edhe për kredi – është indikator që çmimi i banimit është i papërballueshëm. E në Prishtinë shpenzojmë më shumë – deri në 60-70 për qind të pagës shkon për qira apo për kredi. Ne e kemi planin për politika komunale që intervenojnë këtu. Arsyeja pse çmimet janë të larta është se nevoja për banim është shumë e madhe, por banesa në treg nuk ka, as për qira, as për shitje, mjaftueshëm për ta ulur çmimin e banimit. 27 mijë njësi banesore janë krejtësisht të pashfrytëzuara në kryeqytet, për shkak se njerëzit i kanë përdorur si investime ose nuk i kanë fletët poseduese dhe nuk mund t’i tregtojnë këto”, tha ajo.
Shahini bëri të ditura tri masat që PSD planifikon për të ndërhyrë në tregun e banimit.
“Hapi i parë në planin tonë është që t’i pajisim pronarët me certifikata të pronës me fletë poseduese. Edhe kjo i liron një pjesë të banesave dhe i fut në treg për qira apo për shitje. E dyta është një plan tashmë në sirtarët e komunës i ndërmarrjes publike banesore që ndërton 1000 njësi banesore në tokë të komunës, i sistemon 1000 çifte të reja në banesat e tyre, por edhe duke i shitur këto banesa me çmimin e kostos së ndërtimit që është 600 euro për metër katror, intervenojmë në tregun e çmimeve që janë të papërballueshme. Edhe e treta, që ne do ta bëjmë sinjalizim ligjor, është një taksë e mosshfrytëzimit. Aplikohet në të gjitha kryeqytetet që kanë problem me banimin. Edhe kjo taksë, që është më e lartë se sa taksa e zakonshme e pronës, e bën më të leverdishme futjen e një banese në treg për qira apo për shitje sesa për ta paguar këtë taksë. Po i shqyrtojmë edhe politikat për subvencionimin e qirave dhe të kredive”, u shpreh Shahini, shkruan EkonomiaOnline, transmeton Klankosova.tv
The post Shahini nis fushatën, prezanton tri masat e PSD-së për uljen e çmimeve të banimit appeared first on Klan Kosova.