Shabani i LDK-së i premton Shtimes rrugë me katër korsi, arsim cilësor e zhvillim ekonomik (VIDEO)

Shabani i LDK-së i premton Shtimes rrugë me katër korsi, arsim cilësor e zhvillim ekonomik (VIDEO)

Kastriot Shabani, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Shtimes, ka prezantuar në vija të trasha planprogramin e tij për zgjedhjet komunale të 12 tetorit.

Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, ai ka theksuar se do të investojnë në një mori fushash si zhvillimi ekonomik, infrastruktura, bujqësia, blegtoria, arsimi, shëndetësia, kultura, rinia dhe sporti.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe unë si kandidat i saj tash e një muaj e sa kemi filluar prezantimin e planit që e kemi për periudhën 2026-2030. Investimet kapitale që do t’i bëjmë janë: nënkalimi me tre korsi, bulevardi me sipërfaqe 8 mijë metra katror duke përfshirë parkun tek Komuna, stacioni i autobusëve, Memoriali i Lirisë, Parku i Pishave me amfiteatrin e jashtëm dhe hapësirat nga jashtë, zgjerimi i rrugës me katër korsi nga fshati Belenc deri tek shkolla ‘Emin Duraku’, zgjerimi i rrugës me katër korsi nga ‘Agrokopi’ deri tek busti i ‘Adem Jasharit’.”

“Përkundër këtyre investimeve kapitale, ne si LDK jemi fokusuar edhe në fusha të tjera siç janë zhvillimi ekonomik, infrastruktura moderne, zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë, arsimi cilësor, shëndetësia, kultura, rinia dhe sporti. Për zhvillim ekonomik fokusi është tek PZhK-ja, zonat ekonomike, investimi në zona 1 dhe 2, hapësira për biznese, subvencionimi dhe punësimet,” ka thënë Shabani.

Shabani tha se do të investojnë dhe do të punojnë shumë edhe në fushat e tjera, projektet e të cilave i ka prezantuar në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova.

The post Shabani i LDK-së i premton Shtimes rrugë me katër korsi, arsim cilësor e zhvillim ekonomik (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.