Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, ka dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Rubin, dëshmitari i parë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, dëshmoi për disa orë në Hagë mbi njohjen, takimet dhe komunikimet me Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.
Sipas Rubinit, Thaçi nuk kishte as dijen, as aftësinë dhe as pushtetin për të marrë vendime, duke hedhur dyshime mbi pretendimet e prokurorisë për një strukturë të centralizuar të UÇK-së.
Ai e përshkroi Thaçin si figurë politike dhe jo ushtarake.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka mohuar se arsyeja pse Hashim Thaçi nuk e nënshkroi marrëveshjen e parë të Rambujesë lidhej me hezitimin për çarmatosjen e UÇK-së.
Rubin theksoi se pala shqiptare kërkonte garanci nga NATO për përdorimin e forcës në rast se Serbia do të vazhdonte represionin.
Ai tha se Thaçi kërkonte edhe aprovimin e Adem Demaçit, i cili sipas tij kishte kundërshtuar nënshkrimin.
Në dëshminë e tij, Rubin akuzoi diplomatin amerikan Christopher Hill përanshmëri kundër UÇK-së dhe tentativë për ta dëmtuar figurën e tij dhe të sekretares Madeleine Albright.
Po ashtu, dëshmitari theksoi se nuk ka gjetur asnjë provë që Thaçi apo Jakup Krasniqi të jenë përfshirë në vrasje apo ekzekutime dhe se akuzat e tilla shpesh ishin të fabrikuara për të cenuar marrëdhënien mes Kosovës dhe ShBA-së.
Procesi në Hagë, 15 shtator 2025
Dëshmia e tij është cilësuar nga analistët në Kosovë si një sfidë ndaj akuzave të prokurorisë, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të decentralizuar dhe jo si organizatë të aftë për të planifikuar krime sistematike.
Reagimet politike në Kosovë kanë qenë të shumta.
PDK dhe OVL-UÇK e përshëndetën dëshminë si mbështetje të qartë për drejtësinë e luftës çlirimtare.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha për dëshminë e Rubinit se në Hagë “po dëshmon një mik i madh nga përtej Atlantikut”.
Deputetja Vlora Çitaku e quajti Thaçin figurë të papërsëritshme që afroi UÇK-në me Perëndimin.
James Rubin dhe Hashim Thaçi në vitin 1999
Analisti Agon Maliqi e quajti dëshminë e Rubin një dokument të rëndësishëm historik që çmonton narrativat propagandistike dhe tregon realitetin e kaotik të luftës, derisa Lulzim Peci e cilësoi si ligjëratë publike për historinë moderne të Kosovës.
Nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti falënderoi SHBA-në dhe botën demokratike për përkrahjen ndaj luftës së UÇK-së.
Ndërkohë, Alban Krasniqi nga LVV theksoi se dëshmia e Rubinit nxori në pah se udhëheqës ushtarak i UÇK-së ishte Agim Çeku, jo Hashim Thaçi.Ish-ndihmëssekretari Amerikan pritet që dëshminë e tij ta vazhdojë edhe nesër.
Seanca pritet të nisë nga ora 09:00./Telegrafi/