Në një operacion të koordinuar mes Prokurorisë Speciale dhe Policisë, gjatë mbrëmjes të së martës, janë ndaluar dy persona të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i Parasë”.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas disa muaj hetime intensive, kanë ndërmarrë një aksion në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Në njoftim bëhet e ditur se në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë të Policisë, në Prishtinë është ndaluar një veturë ku ndodheshin dy personat e dyshuar, të identifikuar me inicialet S.T dhe A.Th.
Gjatë kontrollit të automjetit janë sekuestruar 40,000 euro, të cilat në testimin fillestar janë konfirmuar si të falsifikuara. Policia ka kryer edhe kontrolle në dy lokacione të lidhura me personat e dyshuar: në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të banimit të tyre.
Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës po vazhdojnë hetimet, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në përputhje me ligjin, ndërkohë bëhet e ditur se të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë./Klankosova.tv
The post Sekuestrohen 40 mijë euro të falsifikuara në Prishtinë, dy të arrestuar appeared first on Klan Kosova.