Emisioni Kiks Kosova ka trajtuar një dukuri që vazhdon të jetë prezente në shoqërinë kosovare.
Çështja e “sehireve” vazhdon të jetë temë me interes për një pjesë të qytetarëve të vendit, por edhe të atyre që pretendojnë se zgjidhin probleme përmes magjive dhe ritualeve të ndryshme.
Duke filluar nga ndarjet e ribashkimet, shërimin e sëmundjeve, borxhet, e madje një grua nga Shqipëria, Aida Byku që vepron në Kosovë, po predikon të ketë meritë edhe në lirimin e personave nga burgu.
Ajo qytetarëve po u prezantohet si parashikuese, e cila zgjidhjen e problemeve dhe të magjisë së zezë, e sjellë përmes disa ritualeve të saj.
Mirëpo, ende pa nisur mirë komunikimi me të, ajo kërkon veç një gjë… pagesën.
Parashikuesja nga Shqipëria as nuk lëvizë gishtat për të shkruar mesazhe, pa u kryer fillimisht pagesa në shumë prej 50 eurosh.
E kamufluar si një vajzë që ka hall problemet me të fejuarin, gazetarja e Kiks Kosovës, me 50 euro niset për tek lokali më i afërt për të bërë pagesën.
Me të marrë fotografinë e fletëpagesës, parashikuesja kërkon nga gazetarja një fotografi të saj, moshën dhe problemin.
Gazetarja trillon një histori dashurie dhe një ngjarje dramatike, për ta vënë në lajthitje Aidën.
Duke kundërshtuar kategorikisht që parashikimin ta bëjë në thirrje, ujdia mes palëve u bë që përgjigjjet të dërgohen nëpërmjet mesazhit zanor.
Me të pranuar fotografinë, moshën dhe historinë, parashikuesja fillon duke thënë se vajzës i është bërë “magji e zezë”, andaj edhe ka ardhur ndarja nga i fejuari, i cili në fakt nuk ekzistonte.
Duke u paraqitur e shqetësuar, gazetarja e pyet për këshilla se si të veprojë më tutje.
Kjo shtetase e Shqipërisë, kërkon 200 euro për të prishë magjinë e zezë, duke premtuar ribashkimin me të fejuarin.
Pas disa ditësh, KIKS Kosova kontaktoi Aida Bykun dhe i tregoi se e gjitha ka qenë një histori e trilluar dhe është përdorur për hulumtim, duke ia ofruar hapësirën për ballafaqim mirëpo e njëjta nuk ktheu asnjëherë përgjigje.
Ndryshe, sipas neuropsikiatrit Sami Rexhepi, i cili për Kiks Kosovën tha se ka raste të ndryshme, ku njerëzit kanë rënë pre e mashtrimeve lidhur me këto besëtytni.
Besimi në magji të zeza dhe shpresa që ato rregullojnë gjërat, sipas neuropsikiatrit, vjen për shkak të vetëbesimit të ulët.


