Maurizio Sarri e pranon se ka bërë një gabim kur kërkoi largimin nga Chelsea dhe u kthye në Itali për Juventusin, por shton se situata në Stamford Bridge ishte “e paqartë”.
Trajneri italian është aktualisht i lirë pas dorëheqjes nga Lazio në mars të vitit 2024 dhe është lidhur me një mundësi rikthimi në Premier League.
Sarri ka kaluar vetëm një sezon në Angli, gjatë vitit 2018-2019, ku fitoi Europa League, trofeu i parë në karrierën e tij si trajner.
Duke parë pas, ai shprehet se ka keqardhje që e la Chelsean për shkak të tensioneve rreth pronarit Roman Abramovich dhe drejtorit Marina Granovskaia, shkruan Football-italia.net, përcjell Klankosova.tv.
“Do të mund të isha akoma te Chelsea. Doja të kthehesha në Itali sepse situata te Chelsea nuk ishte e lehtë. Në atë periudhë, Abramovich nuk lejohej të shkonte në Angli. E shihja vetëm në ndeshje jashtë Anglisë. Kemi bërë disa telefonata, por jo shpesh. Pikëmbështetje për mua ishte vetëm Marina. Nuk kishte një drejtor sportiv, kështu që situata nuk ishte e qartë. Kështu që doja të kthehesha në Itali, por ishte një gabim. Do të kishte qenë më mirë të qëndroja atje. Ishte një periudhë pak shqetësuese për situatën te Chelsea, gjithçka ishte e paqartë”, tha Sarri.
Problemet që lidhen me Chelsean në atë kohë përfshinin tërheqjen e vizës britanike për Abramovich dhe bllokimin e dy dritareve të transferimeve për shkak të shkeljeve në lidhje me lojtarët e akademisë.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.