Samuel Umtiti, heroi i Francës në Kupën e Botës 2018, u pensionua në moshën 31 vjeçare

Samuel Umtiti, heroi i Francës në Kupën e Botës 2018, u pensionua në moshën 31 vjeçare

Ish-mbrojtësi i kombëtares franceze, Samuel Umtiti, ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli profesionist në moshën 31-vjeçare.

Vendimi u bë publik përmes një video-mesazhi lamtumire, të regjistruar në qendrën stërvitore të klubit ku ai hodhi hapat e parë, Lyon.


“Pas një karriere intensive, me shumë ulje-ngritje, ka ardhur koha të them lamtumirë. Dhashë gjithçka nga vetja dhe nuk pendohem për asgjë. Dua të falënderoj të gjitha klubet, presidentët, trajnerët dhe shokët e skuadrës me të cilët kam punuar,” shkroi Umtiti.

Samuel Umtiti telegrafi.com

Karriera e tij arriti kulmin në Botërorin e vitit 2018, kur me Francën u shpall kampion bote. Ai shënoi golin vendimtar në gjysmëfinale kundër Belgjikës (1-0) dhe formoi një dyshe të pathyeshme në qendër të mbrojtjes me Raphael Varane.

Në total, Umtiti zhvilloi 31 ndeshje me kombëtaren “Les Bleus”, duke shënuar 4 gola, dhe debutoi në Euro 2016, turne ku Franca arriti deri në finale.

Në nivel klubesh, Umtiti fitoi dy kampionate spanjolle, tre Kupa të Mbretit dhe dy Superkupa me Barcelonën, si dhe Kupën dhe Superkupën e Francës me Lyon.

Ai mbeti pa klub pas skadimit të kontratës me Lille këtë verë, duke përforcuar zërat për një tërheqje të afërt nga futbolli.

Me shpalljen e tij publike, Umtiti mbyll një kapitull të ndritur, por të shoqëruar nga dëmtime të shumta që e penguan të arrinte potencialin e plotë. /Telegrafi/