Samiti i Brdo-Brijunit, Spiroplai: Moment domethënës për rajonin

Samiti i Brdo-Brijunit, Spiroplai: Moment domethënës për rajonin

Shqipëria është mikpritëse e Samitit të radhës të Procesit të Brdo-Brijunit, një nismë rajonale që mbledh udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe dy shteteve anëtare të BE-së, Kroacinë dhe Slloveninë.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka cilësuar samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, i cili mbahet nesër në Durrës, si një moment domethënës për Shqipërinë dhe rajonin, raporton KosovaPress.


Forcimi i perspektivës evropiane dhe stabilitetit rajonal, si dhe transformimi ekonomik dhe social i vendeve të Evropës Juglindore, janë në fokus të takimit të krerëve të shteteve të Procesit Brdo-Brijuni.

“Mirëpresim krerët e shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit. Samiti mbahet në një moment domethënës në Shqipëri, teksa rajoni ynë ka në duar instrumentin financiar që përshpejton afrimin ekonomik dhe social me BE-në, Planin e ri të Rritjes”, shkruan ministrja Spiropali në rrjetet sociale.

Në këtë takim të nivelit më të lartë do të marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Sllovenisë, Natash Pirc Musar, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska-Davkova dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Pritet që takimi të miratojë një deklaratë të përbashkët që konfirmon angazhimin për të mbështetur integrimin evropian. /Telegrafi/