Legjenda franceze Samir Nasri ka mbetur i impresionuar nga paraqitja e Paris Saint-Germain ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve, ku francezët triumfuan 2-1 pavarësisht mungesave të shumta.
“Parisienët” dominuan në të gjitha aspektet pavarësisht mungesave të shumta, për t’u bërë skuadra e parë që fiton tre ndeshje radhazi në “Camp Nou”.
Pas ndeshjes, Nasri për “Canal+” ka deklaruar se ka mbetur i befasuar nga paraqitja e gjigantit francez.
“Ishte një ndeshje e madhe e PSG-së. Sinqerisht, rezultati 2-1 nuk reflekton atë që pamë në fushë”.
“Në pjesën e dytë nuk pati fare garë, PSG dominoi nga koka te këmbët. Ata i mbytën dhe krijuan rastet më të mira”, shtoi ish-mesfushori i Francës.
Sipas Nasrit, rezultati final mund të kishte qenë edhe më i thellë në favor të PSG-së.
PSG-ja përndryshe ka fituar dy ndeshjet e para në Ligën e Kampionëve, kurse synon ta ruajë epitetin e kampionit të Evropës./Telegrafi/