Saga mafioze e familjes Jaçaj – Saranda në “shtetrrethim”, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

news image

Forcat RENEA dhe një grup i repartit të FNSH kanë zbarkuar në qytetin e Sarandës dhe në zonat periferike të Bashkisë Konispol, duke kryer kontrolle të shumta me qëllim gjetjen e provave që mund të çojnë në zbulimin e autorëve të vrasjes së 58-vjeçarit Isuf Jaçaj.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pista e vetme në të cilën po hetohet është ajo e vrasjes për hakmarrje, për shkak se i biri i viktimës ka ndihmuar autorin e plagosjes së dy personave më 17 korrik në Sarandë. 31-vjeçari Klaus Jaçaj u vetëdorëzua në Komisariatin e Sarandës mbrëmjen e 23 korrikut, dy ditë pasi një person i maskuar i shpërtheu me eksploziv automjetin e tij tip “BMW”, që ndodhej i parkuar pranë banesës, ngjarje kjo ende e pazbardhur. Prokuroria ngriti ndaj tij akuzat “përkrahje e autorit të krimit” dhe “moskallëzim krimi” dhe e la në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Ngjarja që pasoi me një sagë hakmarrjeje u regjistrua më 17 korrik të këtij viti, ku në lagjen nr. 4, 43-vjeçari Ramadan Zoto, alias Ramadan Canaj, plagosi me armë zjarri Gëzim Hajdaraj, 33 vjeç, dhe Ernest Lama, 25 vjeç, nga Kamza. Këta të fundit rezultojnë persona me precedentë penalë në Sarandë, pasi më 8 janar të këtij viti kishin kundërshtuar forcat e policisë së Sarandës në rrugën “Skënderbeu”, por kishin rifituar sërish lirinë. Pas plagosjes, Hajdarajt iu gjet nga policia një armë zjarri pistoletë dhe u arrestua në spital. Ramadan Zoto, një ish-i dënuar në Greqi për krime të rënda, përfshirë vrasje, u largua nga vendi i krimit, derisa u kap i armatosur në Korçë paraditen e 22 gushtit. Dy prej personave që ndodheshin me të në vendngjarje janë vetëdorëzuar më herët.

Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme, sipas ekspertëve të xhenios, dyshohet se janë përdorur rreth 800 gram eksploziv, i cili ishte vendosur poshtë mjetit tip “Toyota” të Isuf Jaçaj. Shpërthimi dyshohet të jetë kryer me telekomandë në distancë. Policia po has vështirësi në dokumentimin e plotë të ngjarjes, pasi pranë tij nuk ka kamera sigurie nëpër biznese.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/