Drita ka shënuar një moment historik për futbollin kosovar, duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Deri më tani, kampioni gjilanas ka fituar 3,870,000 euro nga pjesëmarrja në garat evropiane, vetë pse ka siguruar kalimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Kjo shumë mund të rritet, duke përfshirë shpërblimet për fitore, barazime në fazën e grupeve. Një fitore në fazën e grupeve vlen rreth 400,000 euro, ndërsa një barazim rreth 133,000 euro, përveç shpërblimeve bazë për pjesëmarrje.
FC Drita, duke festuar një nga fitoret në garat evropiane
Rrugëtimi i Dritës në Evropë ka nisur që nga raundi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve, ku gjilanasit eliminuan Differdangen të Luksemburgut me fitore 1-0 dhe 3-2. Në raundin e dytë, Drita u përball me gjigantin danez Copenhagen, ku pësoi dy humbje (2-0 dhe 0-1), duke rënë nga garat e Ligës së Kampionëve.
Pas kësaj, Drita ra në Ligën e Evropës, por u eliminua nga FCSB me rezultat të përgjithshëm 6-3 (3-2 dhe 1-3). Shansi i fundit për të siguruar një vend në fazën e grupeve ishte “play-off”-i i Ligës së Konferencës, ku gjilanasit përballën sërish me Differdangen, të cilin e mposhtën dy herë (2-1 dhe 1-0), duke vulosur historinë e tyre evropiane.
Në fazën e grupeve, Drita do të përballet me sfida të forta. Kampioni kosovar e nis aventurën në udhëtim ndaj KuPS në Tampere të Finlandës, më pas do të udhëtojë në Irlandë përballë Shelbourne, dhe në Spanjë kundër Rayo Vallecanos.
Pamje nga ndeshjet e Dritës në garat evropiane
Në “shtëpinë” e saj, Drita do të presë tre kundërshtarë të njohur: Omonian e Qipros, Shkëndijën e Tetovës dhe holandezët e AZ Alkmaar.
Pra, për çdo pikë që merr Drita, do të ketë shpërblim financiar, duke tentuar ta rrisë sa më shumë buxhetin në këtë pjesëmarrje historike. /Telegrafi/