Sjelljet jo normale e agresive të mësimdhënësve gjatë mësimit, përshpëriten shpesh në qoshe e korridore të shkollave.
Megjithatë, për institucionet përgjegjëse, këto çështje duket se janë ende një temë e rrallë për trajtim serioz.
Kiks Kosova ka kërkuar të dhëna konkrete mbi gjendjen e shëndetit mendor të mësimdhënësve në Kosovë, por asnjë nga institucionet kompetente nuk ka ofruar statistika të sakta për numrin e rasteve të raportuara.
Kryetari i Kolegjiumit të Drejtorive të Arsimit, Muhamet Xhota, ka theksuar se ruajtja e shëndetit mendor të punonjësve arsimorë duhet të jetë një prioritet, por realiteti tregon se masa konkrete dhe statistika të përmbledhura mungojnë ende.
Ai thotë se ligji e kërkon që, para se të lidhet një marrëdhënie pune, mësimdhënësi duhet të sjellë certifikatën shëndetësore.
Por, sa herë ndodh që këto certifikata të manipulohen dhe paguhen pa testime reale, për këtë ende nuk flet askush.
E nga ana tjetër, kryetari i Kolegjiumit të Drejtorive të Arsimit, Muhamet Xhota, ka ngritur shqetësimin për mungesën e psikologëve nëpër shkollat e Kosovës.
Ai thekson se numri i vogël i specialistëve të shëndetit mendor brenda institucioneve arsimore e bën pothuajse të pamundur mbikëqyrjen dhe mbështetjen e mësimdhënësve që përballen me stresin dhe çrregullimet psikologjike.
Ndërkaq, nga SBASHK-u nuk kanë pranuar të flasin për çështjen e shëndetit mendor të mësimdhënësve.
Ata kanë thënë se deri më tani asnjëri, as prind e as palë tjetër, nuk është ankuar se ndonjë mësimdhënës ka probleme të kësaj natyre, dhe për këtë arsye nuk e shohin të nevojshme të komentojnë.
Në anën tjetër, Kiksi ua ka bërë të ditur se raste të tilla po raportohen vazhdimisht.
Mirëpo, SBASHK-u u është përgjigjur se çështjet e shëndetit mendor të mësimdhënësve duhet të trajtohen nga institucionet shëndetësore përkatëse dhe jo nga sindikata.
Shëndeti mendor i mësimdhënësve, sipas njohësit të fushës së arsimit, Rinor Qehaja, është anashkaluar krejtësisht, duke u fokusuar vetëm te shëndeti fizik i tyre, pra sëmundjet kronike.
Sipas Qehajës, mësimdhënësit që vuajnë nga çrregullimet mendore nuk duhet të etiketohen, por të përkrahen dhe t’u garantohet mirëqenia.
Por sa shpesh mësimdhënësve u bëhen testet psikologjike?
Në Kosovë, nuk ka një praktikë të detyrueshme apo të rregullt për testimin psikologjik të mësimdhënësve.
Vetëm kur ka shqetësime konkrete, nëse ka dyshime për probleme të shëndetit mendor që mund të ndikojnë në punë, institucioni mund të kërkojë vlerësim të veçantë nga psikiatri ose psikologu.
Kiks Kosova ka kërkuar edhe një qëndrim nga ana e Ministrisë së Arsimit për praktikat që ndihmojnë në përmirësimin e këtij problemi, megjithatë nuk kanë kthyer përgjigje.
The post Sa herë testohen psiqikisht mësimdhënësit në Kosovë? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.