Thursday, February 26, 2026
spot_img
HomeLajmeSa e sigurt është autostrada “Ibrahim Rugova” pas rrëshqitjeve të dheut? (VIDEO)

Sa e sigurt është autostrada “Ibrahim Rugova” pas rrëshqitjeve të dheut? (VIDEO)

Para 12 vitesh është përuruar dhe konsiderohet si një ndër investimet më të mëdha infrastrukturore në vend.

Megjithatë, autostrada “Ibrahim Rugova” përballet vazhdimisht me probleme serioze, dhe kryesorja është siguria në lëvizje.

Por muajve të fundit, telashi kryesor qe edhe rrëshqitja e dheut në disa segmente të kësaj autoudhe, ku si pasojë pati dhe aksidente me fatalitet, raporton Kiks Kosova.

Situata e krijuar është alarmante për ekspertin e komunikacionit, Nol Dedaj dhe, sipas tij, nuk duhet trajtuar si një problem i zakonshëm sezonal.

Sipas tij, kur bëhet fjalë për një autostradë ku shpejtësia arrin deri në 130 kilometra në orë, çdo pengesë në rrugë, e sidomos rrëshqitjet e dheut, përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve.

Dedaj shpjegon për Kiks Kosovën, se në aspektin profesional, rastet e tilla klasifikohen në dy kategori kryesore.

Ai sqaron se nëse rrëshqitja është e papritur dhe ndodh aksident pikërisht në atë moment, atëherë kemi të bëjmë me incident.

Por në rastet tjera nëse dheu qëndron për orë apo ditë të tëra në rrugë pa u larguar nga askush, atëherë përgjegjësia kalon drejtpërdrejt te faktori rrugë, dhe te institucionet që duhet ta mirëmbajnë dhe ta monitorojnë këtë aks rrugor.

Por, cilat do të ishin zgjidhjet që i sugjeron eksperti i komunikacionit për organet përgjegjëse në lidhje me rastet e tilla?

Dedaj thekson se ekzistojnë dy mënyra konkrete për të trajtuar këso situatash.

Forma e parë, sipas tij, është përmes sinjalizimit të qartë dhe të menjëhershëm.

Vendosja e shenjave paralajmëruese, kufizimi i shpejtësisë dhe orientimi i drejtuesve të veturave për të kaluar me kujdes segmentin ku ka pasur rrëshqitje të dheut, janë masa që duhet të ndërmerren me patjetër.

Por përveç sinjalizimit, zgjidhja tjetër sipas Dedaj është ajo inxhinierike.

Kjo do të thotë largim i menjëhershëm i dheut dhe ndërmarrja e masave parandaluese për të shmangur rrëshqitje të tjera.

E të dyja këto masa, sipas tij, nuk janë zbatuar në mënyrë të duhur kohëve të fundit.

Me gjithë gjendjen në terren, intervenimi i Ministrisë së Infrastrukturës mungoi.

Sipas njohësit të komunikacionit, në të kaluarën ka pasur reagime më të shpejta për raste të tilla dhe po ashtu edhe monitorim të vazhdueshëm.

Gjëra këto që vlerëson se në dy vitet e fundit mungojnë.

Sipas Nol Dedajt, problemi nuk qëndron vetëm te një segment i caktuar i autostradës apo telasheve sezonale, oor te një zinxhir i tërë institucional që, sipas tij, nuk po funksionon si duhet.

Në lidhje me këtë situatë, redaksia e Kiks Kosovës i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Infrastrukturës më 19 shkurt përmes postës elektronike.

Ndonëse pyetjet e Kiksit qenë konkrete në lidhje me situatën reale në terren, përgjigjet nuk erdhën, ndonëse pyetjet u përsëritën me email edhe më 23 e 24 shkurt.

Në anën tjetër, qytetarët kërkojnë pastrim të menjëhershëm, sinjalizim më të mirë, mbikëqyrje të rreptë dhe përgjegjësi institucionale sa i përket mirëmbajtjes së autostradës “Ibrahim Rugova”.

Për të gjitha informacionet, përfshirë palët e përfshira në këtë çështje, detajet i gjeni në videot e mëposhtme.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT