Me Milan dhe Como që mezi presin të udhëtojnë drejt Australisë për ndeshjen e tyre të Serie A në shkurt 2026, pyetja që po shtrohet është: sa do të përfitojnë realisht klubet dhe liga nga ky event historik?
Ndeshja u detyrua të zhvendosej për shkak se San Siro do të jetë i zënë me ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.
Në vend që të kërkohej një stadium alternativ brenda Italisë, u mor vendimi që të organizohej një ndeshje jashtë vendit – për herë të parë në historinë e Serie A, me Perthin që do të presë takimin.
Ky event po prezantohet si një mundësi e artë për të gjeneruar të ardhura dhe për të rritur interesin ndërkombëtar ndaj kampionatit italian.
Sipas Calcio e Finanza, autoritetet australiane janë të gatshme të investojnë 12 milionë euro për të pritur këtë ndeshje. Megjithatë, kjo shumë do të reduktohet pas zbritjes së shpenzimeve logjistike dhe organizative.
Pas kësaj, pritet të mbeten 8-9 milionë euro neto, të cilat do të ndahen mes Milanit, Comos, dhe klubeve të tjera të Serie A që votuan pro propozimit për zhvillimin e ndeshjes jashtë Italisë.
Si skuadra pritëse zyrtare, Milani do të përfitojë pjesën më të madhe të të ardhurave.
Megjithatë, përfitimi më i madh mund të mos jetë i menjëhershëm. Serie A shpreson që ky hap strategjik do të rrisë dukshmërinë e kampionatit në Australi dhe rajone të tjera aziatike, çka mund të çojë në rritje të të ardhurave nga të drejtat televizive dhe shitja e produkteve zyrtare në vitet në vijim.
Ky është një eksperiment i guximshëm që mund të shënojë një kapitull të ri për marketingun dhe ndërkombëtarizimin e futbollit italian./Telegrafi/