Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka prezantuar sot listën e kandidatëve për Kuvendin Komunal, duke e cilësuar atë si një ekip të përkushtuar dhe me integritet të lartë.
“Pas hapjes së fushatës zgjedhore, sot kam kënaqësinë të prezantoj kandidatët tanë për Kuvendin Komunal – një ekip që përfaqëson dinjitetin, profesionalizmin dhe vlerat më të mira të Junikut,” u shpreh Shehu.
Ai theksoi se kandidatët janë njerëz të njohur për qytetarët e Junikut – fqinjë, familjarë dhe miq – të cilët gëzojnë respekt për integritetin dhe profesionalizmin e tyre.
Duke ftuar qytetarët që më 22 tetor të dalin në votime, Shehu apeloi për mbështetje ndaj listës së LDK-së, duke theksuar se kjo është rruga për të garantuar zhvillim të vazhdueshëm dhe realizimin e vizionit të tij për komunën.
“Zëri juaj është forca jonë,” ka shkruar ai në një postim në Facebook. /Telegrafi/