Kandidati për kryetar të Junikut nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu, ka prezantuar përmes një video-mesazhi në Facebook sukseset e tij gjatë mandatit të parë në krye të komunës.
Shehu ka theksuar se një nga arritjet kryesore është përfundimi i rrugës Junik–Restavicë, e cila është ndërtuar me të gjithë infrastrukturën përcjellëse dhe sipas standardeve më të fundit evropiane.
Sipas tij, kjo rrugë është pajisur edhe me ndriçim SMART, që është realizuar për herë të parë pas katër dekadash në Junik.
“Një tjetër premtim i realizuar dhe një nga projektet kryesore të qeverisjes sonë, ku janë investuar mbi 2 milionë euro. Qarkullimi i mallrave dhe njerëzve në këtë rrugë është një hap më afër zhvillimit ekonomik dhe turizmit në Komunën e Junikut”, ka deklaruar Shehu.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Junikut që të vlerësojnë këto investime si dëshmi të përkushtimit të tij për zhvillimin e komunës.