Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka dërguar një mesazh falënderimi dhe bashkimi për qytetarët e kësaj komune në prag të zgjedhjeve lokale.
Në një shkrim të tij, Shehu ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e madhe që, sipas tij, e ka konfirmuar fitoren e LDK-së në Junik që në raundin e parë.
“Të dashur bashkëvendas, e dashur mërgatë e Junikut, gjithë jetën time i kam shërbyer Junikut me nder dhe përkushtim. Mirëpo për mua nuk ka krenari më të madhe sesa kur shoh bashkëvendasit e mi kaq të bashkuar rreth vizionit të LDK-së për Junikun,” ka shkruar Shehu.
Ai ka bërë të ditur se mbi 700 qytetarë morën pjesë në koktelin e falënderimit të organizuar nga dega e LDK-së në Junik, duke e quajtur këtë pjesëmarrje “konfirmim të fitores pa balotazh”.
“Për mua është emocion i veçantë kur e shoh që Juniku njëzëri e konfirmon fitoren e LDK-së. Faleminderit 113 herë për përkrahjen tuaj kaq të madhe. Përherë dhe gjithë jetën do të jem në shërbimin tuaj, me faqe të bardhë dhe zemër të hapur për Junikun tonë,” ka shtuar ai.
Në fund, Shehu ka ftuar qytetarët që pas përfundimit të procesit zgjedhor të bashkohen në një festë të madhe për fitoren e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Junik.