Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka refuzuar ta kritikojë presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, lidhur me komentet e tij për Grenlandën.
Rutte është pyetur lidhur me çështjen e Grenlandës gjatë vizitës së tij në Kroaci ku u takua me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq.
“Besoj se Donald Trump po bën gjërat e duhura për NATO-n duke na inkurajuar gjithë ne në Evropë të shpenzojmë më tepër për mbrojtje”, tha Rutte, transmeton “The Guardian”.
Ai tha se “është absolutisht i bindur” se “pa Donald Trumpin ne kurrë nuk do të kishim atë rezultat në samitin në Hagë” vitin e kaluar, duke rritur pragun e shpenzimeve për mbrojtje në 5% të Bruto Produktit Vendor.
“Pra, kur lavdëroj dikë, kjo bazohet në fakte dhe besoj se faktet janë aty”, tha Rutte.
Ai nuk i është përgjigjur pyetjeve specifike mbi komentet e Trumpit për Grenlandën, dhe insistimin e tij që SHBA-ja ta marrë Grenlandën.
Rutte tha se mirëpret diskutimin e aleatëve të tjerë dhe përfshirjen më të madhe në Arktik dhe Veriun e epërm.
“Keni parë disa njoftime nga britanikët dhe gjermanët sot, ne po punojmë së bashku tani për të parë se si mund të bashkohemi në thelb si një aleancë, duke përfshirë shtatë anëtarët tanë, aleatë që kufizohen me Veriun e epërm, me Arktikun, për të punuar së bashku për të ndërtuar atë hap tjetër, që është thelbësor”, tha Rutte.
Shefi i NATO-s po ashtu tha se Danimarka “po përshpejton investimet e saja kur bëhet fjalë për mbrojtjen”, duke përfshirë “aftësi unike për të mbrojtur territore si Grenlanda”.
“Pra, ne po punojmë vërtetë së bashku këtu. Dhe shqetësimi im i vetëm është, si të qëndrojmë të sigurt, kundër rusëve, kundër kundërshtarëve tjerë – shikoni Kinën sa shpejt po ndërton forcat e saja të armatosura, por edhe veri-koreanët dhe tjerët që mund të na dëshirojnë të keqen. Prandaj, ky është roli im, dhe mendoj se do të arrijmë atje”, tha Rutte.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


