Rudiger mund të largohet nga Reali, e ardhmja e paqartë e gjermanit

Rudiger mund të largohet nga Reali, e ardhmja e paqartë e gjermanit

E ardhmja e Antonio Rudiger te Real Madridi mbetet e paqartë, mes raporteve kontradiktore për qëndrimin ose largimin e tij në fund të këtij sezoni.

Mbrojtësi gjerman, megjithatë, i ka dhënë përparësi absolute qëndrimit në Madrid, ndërsa bordi i klubit po pret rikuperimin e tij nga dëmtimi për të marrë një vendim përfundimtar.


Raportet e fundit nga Gjermania pretendojnë se prirja e Rudigerit për lëndime ka qenë arsyeja kryesore pse Real Madridi ende nuk i ka ofruar rinovimin e kontratës, e cila skadon në qershor 2026. “Los Blancos” dyshojnë në aftësinë e 32-vjeçarit për të ruajtur të njëjtin nivel që tregoi në dy sezonet e para me fanellën e 15-herë kampionëve të Evropës.

Megjithatë, mediumi spanjoll OK Diario raporton se klubi nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, duke shtuar se vlerësimi do të bëhet vetëm pasi të konfirmohet se Rudiger e ka lënë pas dëmtimin.

Bordi madrilen vlerëson kontributin e tij dhe nëse rikthehet në formën e zakonshme, mund të ofrohet një zgjatje njëvjeçare e kontratës.

Në anën tjetër, Rudiger mbetet i vendosur të luftojë për vendin e tij titullar. Ai synon të fitojë besimin e trajnerit Xabi Alonso, i cili aktualisht po preferon dyshen Éder Militao – Dean Huijsen në qendër të mbrojtjes.

Në rast se gjermani nuk arrin ta rikthejë statusin e tij në skuadër, atëherë do të shqyrtojë seriozisht largimin nga Santiago Bernabeu, me Arabinë Saudite që vazhdon të shihet si një destinacion i mundshëm dhe financiarisht joshës për ish-mbrojtësin e Chelseat./Telegrafi/