Ish-diplomati amerikan James Rubin ka deklaruar se Qeveria në detyrë e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, duhet ta marrë si shembull qeverisjen që kishte bërë më herët Hashim Thaçi, kur kishte qenë kryeministër.
Në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, ai ka theksuar se Qeveria në detyrë duhet të bëjë kompromis, në mënyrë që të ketë raporte më të mira me bashkësinë ndërkombëtare.
Duke folur për punën që ka bërë Thaçi ndër vite, Rubin tha se ai ka përdorur kompromisin si mjet udhëheqësie.
“Nuk i njoh hollësitë e tashme për sa i përket diplomacisë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës për momentin, por mund të them këtë: kur kam punuar me Qeverinë e Kosovës, fillimisht kur u pavarësua si shtet dhe kur u takova me Hashim Thaçin si kryeministër – e më pas punova me të edhe si president – gjithmonë gjeja mundësi për t’i marrë qëndrimet e SHBA-ve me shumë kujdes, për të qenë i kujdesshëm ndaj opinionit të tyre dhe për të reflektuar në mënyrën më të mirë gatishmërinë për të bërë kompromis.”
“Çfarë kemi mësuar në gjykim në ditët e fundit është se z. Hashim Thaçi ka treguar lidership duke bërë kompromis. Po të kishte dëgjuar Adem Demaçin dhe ekstremistët e tjerë, Kosova do të ishte masakruar, NATO-ja nuk do të kishte intervenuar. Nganjëherë, lidershipi nënkupton kompromis, dhe duhet ta pranoj që vitet e fundit më ka bezdisur qasja e Qeverisë suaj në shumë raste për të kuptuar vlerën e kompromisit për të arritur objektivat,” ka thënë Rubin.
Në fund, Rubin shtoi: “Mos e bëni rezultatin perfekt armik të së mirës – kjo është ajo që ka bërë Hashim Thaçi në Rambuje dhe në gatishmërinë për çmilitarizim. Asnjë nga këto nuk ka qenë e lehtë dhe nuk kanë qenë zgjedhje të lehta as për të. Por, duke bërë kompromis, ai ka fituar mbështetjen e Perëndimit. Shpresoj dhe pres që Qeveria e Kosovës do t’i rikthehet këtij kuptimi të diplomacisë ndërkombëtare – dhe ndonjëherë, edhe duke bërë kompromis.” /KlanKosova.tv
The post Rubin: Qeveria në detyrë e Kosovës duhet ta ketë model Thaçin, të përdoret komprimisi me Perëndimin (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.