E martë, 29 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmeRrugët e pasigurta – auditimi i vetëm i sigurisë u bë para...

Rrugët e pasigurta – auditimi i vetëm i sigurisë u bë para 6 vjetësh (VIDEO)

Auditimi i sigurisë rrugore është esencial e me patjetër duhet bërë. Sipas ekspertit të komunikacionit, Nol Dedaj, ky proces është thelbësor e nëse do të bëhej si duhej atëherë rruga do të eliminohej si faktor për shkaktimin e aksidenteve.

Tutje, Dedaj shton që në Ministrinë e Infrastrukturës mungojnë projektet e ndërtimit rrugor dhe projektet e sinjalizimit.

Auditimi i fundit i sigurisë në trafikun rrugor është bërë para 6 vjetësh. E në raportin e përmbledhur që u publikua në vitin 2019, Zyra Kombëtare e Auditimit erdhi në disa përfundime.

Sipas tyre, Policia e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës së bashku me komunat, nuk po bënin sa duhej për të rritur sigurinë në trafik.

Sipas raportit auditues, në Rajonin e Prishtinës mbulimi i rrugëve me kontrolle policore nuk ishte i mjaftueshëm.

Tutje në raport, thuhej që Ministria e Infrastrukturës nuk kishte bërë përpjekje për identifikimin dhe menaxhimin e vendeve të rrezikshme në rrugë dhe nuk kishte funksionalizuar Këshillin për Siguri në Trafikun Rrugor. Por që ky këshill u formalizua tek në prill të 2024-ës.

Ky raport auditues, që përfshin periudhën 2016-2018, e që u publikua në dhjetor të 2019, është i fundit sa i përket sigurisë në rrugë, e që nga ajo periudhë nuk ka një raport tjetër të këtij formati.

Sipas Ligjit për Rrugët, nenit 45, auditimi i sigurisë rrugore është një kontroll i pavarur, i detajuar, sistematik dhe teknik i sigurisë që i referohet karakteristikave të projektuara të projektit të infrastrukturës rrugore dhe që përfshin të gjitha fazat nga planifikimi deri te lëshimi në qarkullim.

Auditimi i sigurisë rrugore kryhet gjatë projektimit, ndërtimit përkatësisht rindërtimit dhe lëshimit në qarkullim të rrugëve, si dhe në periudhën fillestare të përdorimit të rrugës.

Tutje në këtë ligj, sipas nenit 48, thuhet që agjencia, koncesionari janë të detyruar që çdo tre vjet për rrugët TEN-T dhe nacionale me të cilat administrojnë, të kryejnë vlerësimin e sigurisë së pjesëve të rrugëve me numër të madh të aksidenteve të trafikut. Por që as kjo nuk praktikohet në terren, ngase problemet me sinjalistikë në autostradat e Kosovës vazhdojnë të jenë prezente.

The post Rrugët e pasigurta – auditimi i vetëm i sigurisë u bë para 6 vjetësh (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT