Rritet siguria në rrugët dhe vendbanimet e Drenasit

Rritet siguria në rrugët dhe vendbanimet e Drenasit

Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë ka nisur zbatimin e projektit “Sinjalizimi vertikal dhe horizontal i rrugëve dhe vendbanimeve në Drenas”, një iniciativë që synon rritjen e sigurisë për qytetarët, sidomos në 13 vendkalimet me hekurudhë dhe në zonat me rrezikshmëri të lartë, përcjell Telegrafi.

Ky projekt përfshin vendosjen e shenjave të reja të komunikacionit, rifreskimin e vijëzimeve rrugore dhe mirëmbajtjen e sinjalizimit ekzistues në rrugët dhe vendbanimet e komunës.


Komuna fton qytetarët të bashkëpunojnë duke evidentuar vendet ku nevojiten shenja të reja ose ato që janë të dëmtuara. Po ashtu, bëhet apel për kujdes dhe mosdëmtim të sinjalizimit, i cili është i domosdoshëm për sigurinë e përgjithshme.

Komuna e Drenasit falënderon Njësitin e Policisë së Kosovës në Drenas për bashkëpunimin e ngushtë dhe kontributin e dhënë në përcaktimin e lokacioneve ku duhet të vendosen shenjat e komunikacionit.

Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë thekson se do të vazhdojë angazhimin për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. /Telegrafi/