Rritet numri i rasteve me kancer gjiri në Shqipëri – thirrje për kontroll dhe ndërgjegjësim

news image

Numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit në Shqipëri ka shënuar rritje të ndjeshme, sipas të dhënave zyrtare të vitit 2024. Vetëm gjatë këtij viti, janë regjistruar 805 raste të reja te gratë, ndërsa janë identifikuar edhe 10 raste te burrat.

Drejtorja e re e Institutit të Shëndetit Publik, Dorina Toci, e nisi detyrën duke publikuar situatën e përhapjes së kësaj sëmundjeje në vend dhe me një thirrje për kontroll të rregullt mjekësor.

“Ne jemi një vend me incidencë të ulët në Europë. Por kanceri i gjirit ka shënuar rritje edhe në vendin tonë. Incidenca rritet çdo vit me 2.1%”, – deklaroi Toci.

Sipas ISHP, 224 gra humbën jetën gjatë vitit 2024, kryesisht për shkak se u diagnostikuan me vonesë, një tregues i nevojës për rritjen e ndërgjegjësimit dhe kontrolleve të herëshme.

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një apel publik është bërë edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili tha:

“Në nisje të këtij muaji, apeloj për të gjitha gratë dhe vajzat që të kryejnë kontrollet mjekësore për të parandaluar këtë sëmundje”.

Ndërkohë, edhe presidenti Bajram Begaj ka dhënë një mesazh sensibilizimi, ndërsa ministrja e shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella, është shfaqur në publik me veshje rozë, si simbol i solidaritetit me këtë kauzë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/