Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Gjykata Speciale e Hagës po prodhon padrejtësi, kjo për vendimin e sotëm të rrëzimit të mocionit të mbrojtjes për rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në reagimin e LVV-së thuhet se mocioni i sotëm është dëshmi e një logjike të përmbysur të drejtësisë, ku vija ndarëse midis çlirimit dhe agresionit zbehet qëllimshëm, ndërsa përpjekja e një populli për liri vihet nën dyshim me mjete juridike.
“Ky model i drejtësisë selektive nuk bën drejtësi universale, por prodhon një narrativë të rreme, që e zhvendos fajësinë nga pushtuesi te i çliruari. Gjykata Speciale, e themeluar përtej çdo praktike të zakonshme ndërkombëtare, ka vepruar si instrument i imponuar mbi sovranitetin e Kosovës. Në vend që t’i shërbejë të drejtës, ajo i ka shërbyer paragjykimit. Madje duke hetuar dhe gjykuar padrejtësisht vetëm një palë, ajo ka përjashtuar sistematikisht dhunën shtetërore serbe që është burimi real i gjenocidit dhe krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit të kryera në Kosovë”.
“Me 29 prill dhe 15 maj 2023 Enver Dugolli si i mbijetuar i masakrës në Burgun e Dubravës i është drejtuar Prokurorit të Prokurorisë Speciale në Hagë me kërkesën për nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Ndonëse Prokurori ka kthyer përgjigje se kërkesa do të shqyrtohet ende sot nuk ka asnjë veprim të njoftuar në këtë drejtim”, thuhet në reagim.
LVV ka deklaruar se ka qenë dhe mbetet e qartë: “e mbrojmë luftën çlirimtare si themel të shtetit tonë dhe e kundërshtojmë çdo përpjekje për ta relativizuar të drejtën tonë historike për çlirim. Drejtësia nuk mund të jetë mjet për të rishkruar historinë, as për ta heshtur të vërtetën”. /Klankosova.tv
The post Rrëzimi i mocionit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, LVV: Specialja po prodhon padrejtësi appeared first on Klan Kosova.