Wednesday, January 14, 2026
spot_img
HomeLajmeRreth 2 mijë e 570 të vrarë në protestat e Iranit, sipas...

Rreth 2 mijë e 570 të vrarë në protestat e Iranit, sipas grupit të të drejtave të njeriut

Numri i të vdekurve nga protestat në Iran ka arritur në 2 mijë e 571 persona, bëri të ditur të mërkurën grupi për të drejtat e njeriut HRANA me seli në SHBA, teksa sundimtarët e Republikës Islamike po përballen me valën më të madhe të mospajtimit në vite.

Sipas HRANA-s, deri më tani janë verifikuar vdekjet e 2 mijë e 403 protestuesve, 147 individëve të lidhur me qeverinë, 12 personave nën moshën 18 vjeç dhe nëntë civilëve jo-protestues.

Ndërkohë, një zyrtar iranian deklaroi të martën se rreth 2 mijë persona ishin vrarë, duke shënuar herën e parë që autoritetet kanë dhënë një shifër të përgjithshme të viktimave nga më shumë se dy javë trazira në mbarë vendin.

Në anën tjetër, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, u bëri thirrje të martën iranianëve që të vazhdojnë protestat, duke premtuar se “ndihma është në rrugë e sipër”. I pyetur se çfarë nënkuptonte me këtë deklaratë, Trump u tha gazetarëve se do të duhet ta kuptojnë vetë.

Megjithatë, zyrtarët iranianë kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për nxitjen e dhunës në vend, duke i fajësuar për vdekjet “operativët terroristë” që, sipas tyre, marrin udhëzime nga jashtë për të nxitur trazirat.

Trump ka deklaruar gjithashtu se veprimi ushtarak është ndër opsionet që ai po shqyrton për ta ndëshkuar Iranin për shtypjen e protestave.

Trazirat, të nxitura nga kushtet e vështira ekonomike, kanë paraqitur sfidën më të madhe të brendshme për sundimtarët e Iranit për të paktën tre vjet dhe kanë ardhur në një kohë të rritjes së presionit ndërkombëtar, pas sulmeve izraelite dhe amerikane të vitit të kaluar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT