Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha të martën se nuk kishte prova të reja që do të kërkonin ndryshime në rekomandimet aktuale të rajonit për përdorimin e paracetamolit, i njohur si Tylenol në Shtetet e Bashkuara, gjatë shtatzënisë.
Reagimi i EMA vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të hënën e lidhi autizmin me përdorimin e vaksinës në fëmijëri dhe marrjen e ilaçit të njohur kundër dhimbjeve Tylenol nga gratë gjatë shtatzënisë, duke i ngritur pretendimet që nuk mbështeten nga prova shkencore në plan të parë të politikës shëndetësore të SHBA-së.
Sipas njoftimit, në BE, paracetamoli (i njohur edhe si acetaminofen) mund të përdoret për të zvogëluar dhimbjen ose ethet gjatë shtatzënisë nëse është klinikisht e nevojshme.
Siç thuhet më tej, aktualisht nuk ka prova të reja që do të kërkonin ndryshime në rekomandimet aktuale të BE-së për përdorim.
“Paracetamoli mbetet një opsion i rëndësishëm për të trajtuar dhimbjen ose ethet tek gratë shtatzëna”, thotë Steffen Thirstrup, Drejtor Mjekësor i EMA-s.
“Këshilla jonë bazohet në një vlerësim rigoroz të të dhënave shkencore të disponueshme dhe nuk kemi gjetur prova që marrja e paracetamolit gjatë shtatzënisë shkakton autizëm tek fëmijët”.
Siç përfshihet në informacionin e produktit për paracetamolin në BE, një sasi e madhe e të dhënave nga gratë shtatzëna që përdorën paracetamol gjatë shtatzënisë nuk tregon rrezik për keqformime në fetusin në zhvillim ose tek të porsalindurit.
Njoftimi vë në pah se në vitin 2019, EMA shqyrtoi studimet e disponueshme që hetuan zhvillimin neurologjik të fëmijëve të ekspozuar ndaj paracetamolit në mitër dhe zbuloi se rezultatet ishin jobindëse dhe se nuk mund të përcaktohej asnjë lidhje me çrregullimet neurozhvillimore.
Andaj, theksohet më tej, “kur është e nevojshme, paracetamoli mund të përdoret gjatë shtatzënisë. Ashtu si me çdo ilaç për trajtim akut, ai duhet të përdoret në dozën më të ulët efektive, për kohën më të shkurtër të mundshme dhe sa më rrallë të jetë e mundur”.
Në këtë kontekst, “gratë shtatzëna duhet të flasin me profesionistin e tyre të kujdesit shëndetësor nëse kanë pyetje në lidhje me ndonjë ilaç gjatë shtatzënisë”.
Në fund thuhet se si për të gjitha ilaçet, EMA dhe autoritetet kompetente kombëtare në BE do të vazhdojnë të monitorojnë sigurinë e ilaçeve që përmbajnë paracetamol dhe do të vlerësojnë menjëherë çdo të dhënë të re sapo të dalë.
Në këtë drejtim, do të ndërmerren veprime rregullatore sipas nevojës për të mbrojtur shëndetin publik. /Telegrafi/