E hënë, 14 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmeRrëfimi për natën tragjike të vrasjes së Liridonës dhe përballja tetëminutëshe mes...

Rrëfimi për natën tragjike të vrasjes së Liridonës dhe përballja tetëminutëshe mes Leonardit dhe Naimit

Familja e Liridona Ademajt e kishte sot përballjen e parë me Naim Murselin, që akuzohet për organizimin e vrasjes së vajzës së tyre. Ishte vëllai i saj, Leonardi, i cili dha dëshminë e tij tronditëse para gjykatës për krimin e rëndë. I prerë në deklaratat e tij, ai i ktheu përgjigje Naimit në secilën pyetje që ia parashtroi.

Klan Kosova ka përcjellë nga afër seancën e mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Leonard Ademaj u deklarua para gjyqtarit të procedurës paraprake për natën kritike, një ditë pas, varrimin e Liridonës, arrestimin e Naimit dhe gjendjen e fëmijëve të tyre.

Në pjesën e parë, para gjyqit, ai rrëfeu si e kuptuan që Liridona ishte vrarë dhe cili ishte ballafaqimi i tyre me burrin e saj, Naimin, akoma pa u zbuluar se kishte gisht në ekzekutimin e saj.

“Unë isha duke punu në lokal në fshatin tim, në ora 10 më ka telefonu bashkëshortja, më tha: “A i njeh që e kanë vra Liridonën?” Në lokal kishte shumë njerëz, nuk e kuptova mirë a Liridonën motrën, a Aliridonin, djalin e axhës. Më ka thirrë edhe një herë, më ka tregu. Jam shku me vrap në shtëpi. Kur jam shku, gjendja e prindërve tejet e rëndë, nuk dija çka të bëja. E kam marrë veturën edhe prindërit dhe jam nis për spital në Gjakovë. Gjatë rrugës lexoja në gazeta se po, Liridona është vra. Kur jam kanë në spital, kom thënë: “A ja u jepni naj qetësues prindërve se po flitet që vajza e tyre, motra ime, ka vdekur.”  – ishin fjalët e para të Leonardit.

Më pas ai tregon se si erdhën në Prishtinë dhe dikush nga policët ua kumtoi prindërve të tyre lajmin e hidhur për vdekjen tragjike të Liridonës.

“Tani kemi vazhduar për në QKUK. Në spital kishte shumë policë. Iu drejtova me pytjen: “A mund të dij për rastin e Liridona Ademaj?”. Më thanë: “Duhet të shkosh në stacionin policor në Dragodan.” Kam shku atje, në polici kishte zyrtarë policorë dhe një nga policët aty ia kumtoi lajmin për vdekjen e Liridonës prindërve. Gjendja tepër e rëndë. Erdhi ambulanca pas pak minutash. “Ku janë fëmijët dhe Naimi?” Më kanë thënë: “Janë brenda.”

Unë me bashkëshorten kena shku te fëmijët, takimi me ta shumë prekës. Ata ishin të frikësuar, të mërzitur për atë që kishin parë e dëgjuar. Kur i kam pyet: “Ku është Naimi?” më kanë thënë: “Duke dhënë deklaratë.”

Çka tha Murseli natën kritike, sipas Ademajt?

Përballja e parë me Naim Murselin, në natën tragjike, Leonardi tha se ishte pasi ai doli nga Policia, ku kishte dhënë deklaratë për atë që gjoja kishte ndodhur. E atë version, me ‘hajnat’, Naimi ua tha edhe familjes së Liridonës.

Pas 1 orë, 1 orë e gjysmë, Naimi ka dalë nga policia. Ne fëmijët i kemi marrë në veturë se ishte orar gjumi. Aty ishte edhe Kushtrim Kokalla. E kemi pyet Naimin: “Çfarë ndodhi?”

Ai na tha që: “Na ka dalë një hajn me armë dhe na ka kërkuar të holla. Unë i kom nxjerrë të hollat, i kom thanë edhe Liridonës ‘jepja krejt çka ki’. Ajo duke shiku në çantë, unë i kom hap dyert, i thashë fëmijëve me ik në gjuhën suedeze.

Mas 4-5 metra e kom ni një krismë dhe unë vazhdoja të ikja me fëmijë. Ka ardhë një veturë, ka dashtë me na shkel mu e fëmijët. Kom kërku ndihmë te disa shtëpi, nuk më kanë jap ndihmë. Kom shku deri te marketi, i kom thanë: ‘A po i qet një sy fëmijëve se ma kanë vra gruan.’ Ai më ka thanë: ‘Jo, rri këtu se është rrezik, priti policinë.’”, deklaroi tutje Ademaj.

Ajo natë ishte e kobshme për gjithë familjen Ademaj. Leonardi rrëfeu se si nuk bënë asnjë sy gjymë, deri në mëngjes, kur edhe e kishte një ‘përballje’ tjetër me Naimin.

Situata që e tronditi më shumë, një ditë pas rastit, sipas tij, ishte kur e gjeti Murselin në hotel shtrirë, duke pritur drektën, ndërkohë që familja ishte e shkatërruar.

Për ne ajo natë nuk ishte e lehtë, se i kishim edhe fëmijët në shtëpi. Kemi qëndruar zgjuar deri në mëngjes.

Rreth orës 11 kam provuar të gjej kontakt me Naimin, se nuk e dijshim ku ndodhet. E kom thirrë Valon Lluken, më ka thanë: “Merre numrin e shoferit me të cilin është Naimi, e fol me të.” E kom thirrë Betim Podrimqakun, më ka thanë që Naimi është në Sëiss. Jemi nisë me djalin e axhës, dajës dhe tezakun. Na kanë thanë: “Është nalt në dhomë.”

Ai ishte ra në krevatin e tij, kishte disa gjëra ushqimore në tavolinë, e kishte porositë dhe drekën. Nga habia mendonim që ishte i frikësuar dhe është mërzia, qysh po e vuan.”

Por kur ata i kërkuan që ta shohin trupin e Liridonës, Naimi ka thënë se një gjë e tillë nuk lejohet, por megjithatë shkuan.

“I thashë: “A mujna me shku në morg me pa Liridonën?”

Më tha: “Jo, nuk na lejohet.”

E kom thirrë vetë spitalin, i kom thanë: “A mundemi me ardhë me pa trupin?” Kena shku, erdhi edhe Naimi.

Mjeku tha: “Nëse keni ndonjë problem, mundeni mos me ardhë”, e Naimi u shpreh se “Kam problem me zemër edhe s’di a muj me e pa.” Ka ardhë deri te dera dhe veç nga dera e ka shiku, nuk ka ardhë brenda.”

Si dyshuan dhe u tronditën familja e Liridonës: S’mujshim me besu krimin

Në pjesën e dytë, ai tregoi se si nisën dyshimet e tyre për Naim Murselin, se kishte gisht në krimin e kryer ndaj Liridonës dhe si u tronditën kur e kuptuan se ai u arrestua.

“Kemi shku në vendin e ngjarjes, ishte edhe Naimi aty, ja nisi me na shpjegu ngjarjen. Njëherë tha dola nga ana e djathtë, tani nuk e di a nga e majta a e djathta. Prapë nuk donim të dyshonim, kena shku në Gjakovë, erdh edhe Naimi me i marrë fëmijët se tha kanë me dhanë deklaratë në polici.

I ka marrë fëmijët, në u përgatitëm për varrim që do bëhej në Çërmjan. Kemi shkuar të nesërmen atje për me prit ngushëllime, aty ishin edhe prindërit e Naimit e Kushtrimit, njerëzit vinin për të pamje, Naimi nuk ishte aty. E thirra ku je? Tha fëmija kanë pasë me u marrë në pyetje, jam tu ardhë.

Gjatë varrimit binte në sy më së shumti qetësia e Naimit e Kushtrimit, shumë të ftohtë edhe me mediat. Kur u kthym në shtëpi, babai na tha që miqësia mes nesh dhe atyne ka përfundu këtu.  Si ka mundësi që ky ka ikë me fëmijët e Liridona ka metë aty? Pas 30 min e kemi pa që është arrestu Graniti, pas pak këmi marrë vesh edhe për arrestimin e Naimit dhe Kushtrimit.

Për neve ishte tronditëse fakti që dyshimet tona veçse u vërtetuan, por mendja nuk na lejojke që të besojmë që ky krim ka ardhë nga vetë Naim Murseli.” – tha Leonard Ademaj, transmeton Klankosova.tv

“Fëmijët treguan se “babi e ka mbajtë për dore mamin kur u vra”, nuk duan ta shohin me sy” 

Në fund të deklaratës, ai foli edhe për gjendjen e fëmijëve një ditë pas krimit të rëndë, si dhe takimin me ta në Suedi.

“Fëmijët e shokuar nga ajo që kishin parë na thanë që hajni ka kërku pare, pastaj kanë vazhduar me disa aktivitete vizatimore. Fëmijët pastaj, pas varrimit, kanë qëndruar te Naim Murseli dhe prej aty shteti suedez i ka marrë me vete dhe s’i kam takuar për 4 muaj.

Kur kam shku në Suedi, kam kërkuar takim me fëmijët, takimi me ta ishte shumë prekës, pasi që fëmijët në prezencë të psikologëve më treguan që kanë qenë në veturë kur u vra Liridona.

Fjalët e Dijarit janë këto: Hajni e ka fut dorën dhe ja ka bë mamit bam. Po ashtu tregojnë qartë se si Naim Murseli e mbajti për dore Liridonën në momentin e fundit të vrasjes. Gjithashtu, për përditësimin e të dhënave të tyre që e marr unë, fjalët e tyre janë po të këtij lloji.

Nga momenti që fëmijët kanë shku në Suedi, asnjëherë nuk kanë kërkuar takim me babin dhe gjitha thirrjet të cilat ja ka mundësu QPS me babin e tyre, ata nuk kanë pranuar asnjëherë. E ka arritë deri aty, foto që i dërgojnë familjarëve ku janë bashkë Naimi me Liridonën, ata e shkëpusin me gërdhër Naimin nga fotografia.”, dëshmoi Leonardi, transmeton Klankosova.tv

Përballja tetë minutëshe mes Leonardit dhe Naimit

Naim Murseli: E kom një pyetje për Leonardin, për 12 vjet martesë, a është ankuar ndonjëherë motra e tij për mua apo për raportin tonë?

Leonard Ademaj: Jo, nuk është ankuar, përveç, me aq sa mbaj mend, e kishte prekur shumë një aferë tradhtie e Naimit, por ajo vet e kishte zgjidhur…

Naim Murseli: Ju thatë ma herët Leonard që kinse unë pasna qenë në morg me Kushtrim Kokallën, të nesërmen, në sa ora ka qenë kjo vizitë, e panjohur për mua

Leonard Ademaj: Orën nuk e di, një punonjëse në morg me tha që në mëngjes kanë ardhur Kushtrimi dhe Naimi

Naim Murseli: Dy javë para ngjarjes, rreth datës 16 tetor, a kemi shkuar së bashku në Budva, për ta festuar ditëlindjen time, unë ti, bashkëshortja ime, bashkëshortja jote dhe fëmijët, me ftesë timen…

Leonard Ademaj: Po…”, transmeton Klankosova.tv

Naim Murseli: A vërejte diçka ndryshe gjatë atij udhëtimi (në Budva), ndonjë parregullsi, apo ndonjë krisje në raport?

Leonard Ademaj: Jo.

Naim Murseli: Në shtëpinë që e kam blerë së bashku me të ndjerën, bashkëshorten time, a ke qenë ndonjëherë në vizitë Leonard?

Leonard Ademaj: Jo

Naim Murseli: Dhe një pyetje të fundit, në aktakuzë, Prokurorja e përmend dy motive, njëra që ka të bëjë me financat dhe kinse sigurim jetësor, që nuk dihet asgjë për atë sigurim jetësor, motivi tjetër që thuhet është kinse Liridona më ka tradhtuar. Cilit motiv i beson Leonard Ademaj?

Leonard Ademaj: Motivin kinse Liridona më ka tradhtuar e ke thënë ti vet, nuk e ka thënë Prokuroria. Sa i përket sigurimit, e din mirë ti ku vlenë, se ia ke bërë vetëm asaj, jo vetit. Po ashtu, e dini mirë, kur i ke thanë babit në shpi, “Hajdar ia kom maru Liridonës një sigurim që nesër me gjetë diçka, përfitojmë shumë, janë të sigurum fëmija.” Përveç versionit të tradhtisë (versonit të Naimit), dy versioneve të tjera iu besoj.

Naim Murseli: Unë e kam parë deklaratën e Leonard Ademajt, aty thuhet që djali im i vogël, s’po ia përmendi emrin…jashtë kësaj në të cilën po përballemi, është dajë i mirë dhe s’kemi pasë asnjëherë probleme, unë edhe sot e kësaj ditë gëzoj respekt për familjen Ademaj, por në deklaratë thuhet se djali i vogël thotë që mamin e kemi harruar në makinë. A ka qenë kështu Leonard?

Leonard Ademaj: Po, atë natë kështu ka thënë, ishte vetëm 4 vjeç, nuk e ka ditur se çfarë saktë ka ndodhur…

Naim Murseli: A kom qenë në Prokurori disa orë para varrimit?

Leonard Ademaj: Nuk e di.

Naim Murseli: Nuk kom pyetje të tjera.

Në fjalën e fundit me të përmbyllur dëshminë e tij, Leonardi dha qëndrimin e familjes së tij.

Ai kërkoi para trupit gjykues se për dorasin e vrasjes së motrës së tij, të ketë dënim kapital, transmeton klankosova.tv.

”Mesazhi jonë dhe i familjes është i qartë. Dënimi nuk na e kthen Liridonën, por të paktën le të jetë një shembull për të gjithë ata që tentojnë të bëjnë një krim të tillë, andaj duke marrë parasysh rrethanat dhe natyrën e viktimës, dënimi të jetë kapital”. /Klankosova.tv

 

The post Rrëfimi për natën tragjike të vrasjes së Liridonës dhe përballja tetëminutëshe mes Leonardit dhe Naimit appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT