Lista për Familjen dhe Partia Demokratike e Kosovës, para dy javësh arritën marrëveshje koalicioni për të garuar bashkarisht në një listë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Njëri nga udhëheqësit Eman Rrahmani, sot në emisionin Kosova Today ka folur rreth këtij bashkëpunimi.
“As një ligj nuk duhet të inicohet që e cënon familjen tradicionale shqiptare, por ka edhe shumë çështje të tjera si: zhvillimi ekonomik, përmirësimi i shëndetësisë, arsimit. Mirëpo, ligjet që e cënojnë familjen tradicionale shqiptare nuk do të inicohet përgjatë këtij katërvjeçari si koalicion”, deklaroi ai në Klan Kosova.
“Po e shoh tash edhe në takimet qoftë edhe me elektoratin e PDK-së, sidomos me këta të krahut të luftës, nuk ka luftuar askush as Ushtria Çlirimtare e Kosovës që të cënohet familja jonë tradicionale që e ka vlerën mbi të gjitha. Unë vazhdoj ta them edhe sot që nëna shqiptare ka qenë ajo që ka ruajtur familjet tona dhe që sot jep kontributin e saj, dhe Ushtria Çlirimtare e cila ka pasur mision ruajtjen e pragut të shtëpisë”, deklaroi Rrahmani.
Ai theksoi se katër vjetët e kaluara familja ishte sulmuar nga Qeverisja, por që fatmirësisht kanë arritur ta parandalojnë.
Kandidati për deputet thotë se këto sulme janë bërë edhe në bashkëpunim edhe me disa organizata joqeveritare, qoftë edhe për interesa financiare.


