Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Albion Rrahmani, ka kaluar me sukses një operacion në këmbën e djathtë, të cilit iu nënshtrua të premten në kryeqytetin rumun, Bukuresht, raporton Gazeta Sinjali.
Ndërhyrja u realizua për heqjen e pllakës dhe vidave që i ishin vendosur pas një operacioni të mëparshëm në vitin 2023.
Lajmin e ka bërë të ditur agjencia “KT Management”, e cila ka njoftuar se rikuperimi i Rrahmanit do të zgjasë rreth 7 deri në 10 ditë.
“Albioni sapo përfundoi ndërhyrjen në këmbën e djathtë duke hequr pllakën dhe vidat që ishin në këmbën e tij nga operacioni në vitin 2023. Ai do të jetë jashtë për një periudhë prej 7-10 ditësh. Ai do të jetë gati për sezonin e ri më i fortë se kurrë.”
Në njoftim gjithashtu është shprehur mirënjohje për stafin mjekësor që u kujdes për ndërhyrjen.
“Një falënderim i madh për Dr. Georgianu Vlad dhe të gjithë stafin e spitalit Monza në Bukuresht për gjithçka që kishin bërë që kjo ndërhyrje të shkonte në mënyrën më të mirë të mundshme.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!