Rrahmani lëndohet në stërvitje, do t’i mungojë Kosovës në ndeshjet e tetorit

Rrahmani lëndohet në stërvitje, do t'i mungojë Kosovës në ndeshjet e tetorit

Qendërmbrojtësi i Napolit dhe kapiteni i ekipit kombëtar të Kosovës, Amir Rrahmani, pësoi një tjetër dëmtim që do ta detyrojë të mungojë në ndeshjet e kombëtares gjatë muajit tetor.

Sipas mediave italiane, përfshirë Corriere del Mezzogiorno, Rrahmani u lëndua gjatë stërvitjes së djeshme dhe për këtë arsye nuk do të marrë pjesë në ndeshjet e ardhshme të Napolit, si dhe në përballjet e Kosovës.


Në Itali, Rrahmani do të humbasë ndeshjet kundër Milanit, Sporting Lisbonës dhe Genoas, ndërsa për Kosovën pritet të mungojë ndaj Sllovenisë dhe Suedisë.

Sipas parashikimeve fillestare, duke marrë parasysh natyrën e dëmtimit, Rrahmani pritet të kthehet në fushë më 18 tetor, për ndeshjen e Napolit kundër Torinos.

Ky është dëmtimi i dytë i Rrahmanit brenda një muaji, pasi ai u lëndua në ndeshjen e Kosovës kundër Zvicrës më 5 shtator dhe ishte rikthyer së fundmi në stërvitje. /Telegrafi/