Pas një gjyqi dyjavor, një juri federale e përbërë nga shtatë gra dhe pesë burra shpalli fajtor Ryan Routh për përpjekjen për të vrarë presidentitm amerikan, Donald Trump gjatë një loje golfi në Florida në shtator të vitit të kaluar.
Jurisë iu deshën vetëm dy orë për të dhënë vendimin, duke e dënuar Routh me burgim të përjetshëm.
Ngjarja kishte ndodhur më 15 shtator 2024, në klubin e golfit të Trump në West Palm Beach, ku ai po luante si kandidat republikan për president. Routh kishte kaluar javë të tëra duke planifikuar atentatin, por komploti u zbulua nga një agjent i Shërbimit Sekret, Robert Fercano, i cili ndërhyri me armë përpara se Routh të mund të vepronte. Routh e drejtoi pushkën nga agjenti, por nuk arriti të qëllonte. Agjenti hapi zjarr, duke e detyruar atë të braktiste armën dhe të largohej me vrap.
Pas një ndjekjeje me ndihmën e një dëshmitari dhe një helikopteri policie, Routh u arrestua pranë një ndërshtetërori aty afër.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Routh tentoi të vetëvritej në sallën e gjyqit duke u goditur me një stilolaps në qafë. Oficerët ndërhynë menjëherë dhe e nxorën jashtë. Stilolapsi ishte i një lloji të dizajnuar posaçërisht për të parandaluar përdorimin si armë, dhe nuk arriti t’i shkaktonte dëme.
– YouTube www.youtube.com
Ndërsa ai largohej nga salla, vajza e tij, Sara Routh, bërtiti me lot në sy “Baba, të dua, mos bëj asgjë. Do të të nxjerr. Ai nuk i bëri keq askujt.” Ajo dhe vëllai i saj, Adam, u nxorën nga salla dhe më pas pritën jashtë, raporton abcnews.
Gjatë gjyqit, Routh vendosi të përfaqësojë veten, pas miratimit nga gjyqtarja Aileen Cannon, dhe avokatët e mëparshëm vepruan si këshilltarë rezervë. Ai nuk dëshmoi në mbrojtje të vetes dhe e mbylli rastin e tij pas marrjes në pyetje të vetëm tre dëshmitarëve – një ekspert i armëve dhe dy dëshmitarë karakteri – për rreth tre orë. Ndërkohë, prokurorët morën në pyetje 38 dëshmitarë gjatë shtatë ditëve.
Në deklaratën përmbyllëse, Routh këmbënguli se nuk kishte ndërmend të vriste askënd, duke theksuar se nuk e kishte tërhequr kurrë këmbëzën dhe se kishte mundësi të qëllonte por nuk e bëri.
Pas vendimit, Donald Trump, nga New Yorku, deklaroi për gazetarët se “çështja u trajtua në mënyrë shumë të mirë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mua, por me faktin që si president – apo si qytetar – nuk mund të lejojmë që këto gjëra të ndodhin. Drejtësia u vu në vend. Jam shumë mirënjohës ndaj gjyqtares, jurisë dhe të gjithëve që punuan për këtë rast.”
Ngjarja ndodhi vetëm nëntë javë pas një tjetër atentati ndaj Trump në Butler, Pensilvani, ku një person i armatosur qëlloi tetë herë dhe një plumb i preku veshin. Autori i asaj sulmi u vra nga një snajper i Shërbimit Sekret. /Telegrafi/