Si çdo vit, edhe sot në ora 14:46 – moment që korrespondon me orën 8:46 në New York – Rotary Club Peja organizoi një ceremoni përkujtimore pranë Memorialit 9/11 “Kujtim dhe Miqësi” në Pejë, duke vendosur një kurorë lulesh me porosinë “We Will Never Forget”.
Ky memorial, i ngritur në nder të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, është kthyer në një pikë atraktive për vizitorë dhe Rotarianë nga mbarë bota, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata e vlerësojnë Pejën si një vend të qetë për reflektim dhe si simbol të përhershëm të solidaritetit dhe miqësisë së qëndrueshme mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës.
“Ky veprim i thjeshtë por domethënës përkujton jetët e humbura dhe njëkohësisht rikujton miqësinë e fortë mes Kosovës dhe SHBA-së. Memoriali ‘Kujtim dhe Miqësi’ mbetet simbol i solidaritetit, qëndrueshmërisë dhe shpresës për një të ardhme më të ndritshme”, u tha në ceremoni.
“Memoriale të tilla në përkujtim të kësaj tragjedie janë ngritur anembanë SHBA-së, si dhe në shumë kryeqendra Evropiane përfshirë edhe selinë e NATO-s në Bruksel. Memoriali i ngritur në Pejë i bashkohet memorialeve 9/11 në mbarë botën duke e vendosur Pejën dhe Kosovën në hartën globale të memorialeve përkujtimore 9/11”, ka përkujtuar Neshad Albani nga Rotary Club Peja.
Memoriali i ngritur në Pejë është i veçantë dhe na bën krenar pasi që është memoriali i vetëm përkujtimor 9/11 në Evropën Juglindore i cili përmban një copë metalike nga Kullat Binjake.