Cristiano Ronaldo është kurorëzuar si atleti me të ardhurat më të larta në botë për vitin e kaluar, duke e lënë pas me diferencë rivalin e tij të madh, Lionel Messi, i cili renditet i treti.
Mediumi The Sun raporton se janë publikuar dhjetë atletët më të paguar për vitin 2024, bazuar në statistikat e bestbettingsitesoffers.co.uk.
Futbolli dhe basketbolli dominuan renditjen, me vetëm dy pjesëmarrës nga sporte të tjera. Lista përfshin si pagat, ashtu edhe fitimet jashtë fushës për të përcaktuar të ardhurat totale të yjeve të sportit.
Siç pritej, Ronaldo kryeson listën, por epërsia e tij është e jashtëzakonshme; në moshën 40-vjeçare, ai fitoi 192.4 milionë funte (222.34 milionë euro), pothuajse dyfishin e 99.9 milionë funteve (115.44 milionë eurove) të Messit.
Golfisti Jon Rahm renditet i dyti me 161.3 milionë funte (186.40 milionë euro), ndërsa pesëshja e parë përmbyllet me dy basketbollistët: Lebron James i katërti me 94.87 milionë funte (109.63 milionë euro) dhe Giannis Antetokounmpo i pesti me 82.14 milionë funte (94.92 milionë euro).
Pas tyre, lista përfshin edhe yjet e futbollit: Kylian Mbappe i gjashti me 81.4 milionë funte (94.07 milionë euro), Neymar i shtati me 79.9 milionë funte (92.33 milionë euro) dhe Karim Benzema i teti me 78.4 milionë funte (90.60 milionë euro).
Lista përmbyllet me yllin e NBA, Steph Curry i nënti me 75.4 milionë funte (75.4 milionë euro) dhe lojtarin e futbollit amerikan NFL, Lamar Jackson i dhjeti me 74.37 milionë funte (85.94 milionë euro).
Raporti thekson se Messi fiton më shumë jashtë fushës sesa brenda saj, falë markës së tij globale, duke qenë një nga vetëm dy atletët në listë me këtë dallim. Megjithatë, ai mbetet prapa Ronaldos, pasi dy legjendat e futbollit vazhdojnë rivalitetin e tyre financiar dhe sportiv.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!