Ish ylli i Real Madridit Wesley Sneijder thotë se Cristiano Ronaldo ishte i interesuar për ta transferuar atë te skuadra e Al Nassr.
Legjenda holandeze ka treguar se pesë herë fituesi i Topit të Artë edhe diskutoi me drejtorin sportiv Simao Coutinho për një lëvizje të tillë.
Duke folur për mediumin “Rondo”, Sneijder bëri shaka se Ronaldo i kishte kërkuar ta asistonte te goli i 1000-të në karrierë.
“Arrita të bisedojë me të dhe bëmë shaka që të më jepte një kontratë te Al Nassr. Ronaldo ishte i interesuar, ai i tha Coutinhos të më transferonte sepse pastaj mund ta asistoja në golin e 1000-të”.
Cristiano Ronaldo dhe Wesley Sneijder ishin bashkëlojtarë për disa ditë te Real Madridi, megjithatë asnjëherë nuk ndanë të njëjtën fushë. Ylli portugez iu bashkua madrilenëve në korrikun e vitit 2009, derisa holandezi u largua për të nënshkruar me Interin në gushtin e të njëjtit vit.
Cristiano Ronaldo dhe Wesley Sneijder
Sneijder në fakt beson se mund ta kishte një karrierë si të Ronaldos, ku këtë e kishte thënë në intervistë për Di Marzion në vitin 2020.
“Mund të bëhesha si Messi ose Ronaldo, por thjesht nuk e ndjeja. E shijova shumë jetën, ndonjëherë pija pak verë për darkë. Leo (Lionel Messi) dhe Cristiano ishin ndryshe, kanë bërë shumë sakrifica. Kjo është në rregull me mua, karriera ime mbetet e mrekullueshme”.
Cristiano Ronaldo në anën tjetër po vazhdon me ambicien për t’u bërë lojtari i parë që shënon 1000 gola në karrierë, ku pas tre golëshit ndaj Armenisë dhe Hungarisë, ka mbërritur në shifrën e 943 golave. /Telegrafi/