Roma mund të mbetet pa yllin e ekipit, gjiganti evropian ofron 60 milionë euro

Roma mund të mbetet pa yllin e ekipit, gjiganti evropian ofron 60 milionë euro

Paris Saint-Germain po përgatitet për një tjetër goditje të madhe në tregun e transferimeve.

Sipas raportimeve të fundit nga Corriere dello Sport, bordi i klubit francez ka vënë në shënjestër mesfushorin e AS Roma-s, Manu Kone, për të cilin janë gati të ofrojnë deri në 60 milionë euro.


Pavarësisht se ka një skuadër të fortë dhe të balancuar, PSG vazhdon të kërkojë përforcime për të rritur konkurrencën brenda grupit. Drejtuesit e klubit nga “Parc des Princes” janë të vendosur të përforcojnë mesfushën dhe kanë identifikuar Konen si profilin ideal.

Performancat e shkëlqyera të 24-vjeçarit këtë sezon, si me Romën, ashtu edhe me kombëtaren franceze, kanë bindur drejtuesit e parisienëve se ai mund të bëhet një shtyllë e rëndësishme e projektit të ri të Luis Enriques.

Sipas të njëjtave burime, PSG është gati të bëjë një ofertë të madhe, që mund të arrijë në 60 milionë euro, një shumë që do të përfaqësonte fitim të konsiderueshëm për Romën, e cila e bleu lojtarin nga Borussia Mönchengladbach për vetëm 18 milionë euro në verën e vitit 2024.

Kjo ofertë do ta vendoste klubin italian përballë një dileme të madhe: të mbajë një nga lojtarët më premtues të skuadrës apo të përfitojë ekonomikisht në mënyrë të konsiderueshme.

Në të kaluarën, Kone ka qenë i lidhur me disa klube të mëdha evropiane, përfshirë Liverpoolin, Bayern Munich, Interin dhe Juventusin, por transferimi te Roma rezultoi vendimtar për zhvillimin e tij si lojtar.

Megjithatë, me formën që po shfaq këtë sezon dhe interesimin serioz të PSG-së, e ardhmja e tij mund të marrë një tjetër drejtim. /Telegrafi/