Para pak ditësh, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, bashkë me zëvendësin e tij Christian Bottcher, vizituan trupat gjermane të KFOR-it të stacionuara në Kampin Bondsteel pranë Ferizajt, ku u informua në detaje mbi misionet aktuale, aftësitë operacionale dhe pajisjet teknike të përdorura gjatë patrullave dhe vëzhgimeve kufitare përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.
“U ndjeva sikur u ktheva në shtëpi”, tha ambasadori, duke kujtuar kështu kohën e tij në Strandmeisterkompanie të Gjermanisë në vitet 1980.
Siç thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook të ambasadës gjermane, ambasadori, duke parë automjetet e blinduara moderne e deri te sistemet e avancuara të mbikëqyrjes, u impresionua nga preciziteti, profesionalizmi dhe përkushtimi që trupat demonstruan në përmbushjen e mandatit të KFOR-it.
“Një moment i veçantë për të ishte rikthimi në kontrollin e një ngarkuesi Ahlmann me krah rrotullues – tashmë i modernizuar, por ende i njohur nga koha e shërbimit të tij dekada më parë”, u tha në njoftim.
Rohde pati një falënderim të sinqertë për të gjithë ushtarët gjermanë që shërbejnë në Kosovë.
“Puna juaj është thelbësore, ekspertiza juaj e jashtëzakonshme dhe përkushtimi juaj vlerësohet thellësisht. E kaluara takon të tashmen – aty ku shërbimi i përbashkët vazhdon të formësojë paqen dhe sigurinë në Kosovë”, u tha në fund të njoftimit të ambasadës gjermane në Kosovë. /Klankosova.tv
The post Rohde viziton gjermanët në Bondsteel, “teston” pajisjet që përdoren në patrullat kufitare Kosovë-Serbi appeared first on Klan Kosova.