Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde i cili është në përfundim të mandatit të tij, ka thënë se Gjermania, Quinti dhe veçanërisht Bashkimi Evropian punojnë pa u lodhur për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë t’i normalizojnë marrëdhëniet.
Ai në një intervistë për portalin Kosovo Online theksoi mes tjerash se është në interes të barabartë si të bashkësisë ndërkombëtare ashtu edhe të institucioneve të Kosovës, si dhe të të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve në Kosovë, që dialogu të përparojë shpejt dhe që rruga drejt pranimit në BE të hapet, transmeton Klankosova.tv.
“Megjithatë, secila palë në dialog duhet të bëjë pjesën e saj dhe të përmbushë detyrimet e saj. Kosova është kryesisht e detyruar të konstituojë Kuvendin dhe të formojë një qeveri të re. Qytetarët e Kosovës kanë pritur për më shumë se gjysmë viti që dikush t’i përfaqësojë, dhe vendi po humbet ngadalë mbështetjen financiare dhe politike sa më gjatë që mungon përfaqësimi demokratik i qytetarëve të saj. Për ta përsëritur, Gjermania dhe BE-ja janë të gatshme dhe të vullnetshme të ndihmojnë, por Kosova së pari duhet të tregojë se e merr seriozisht dialogun dhe detyrimet e saj drejt normalizimit, siç është fillimi i zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”.
Rainer Rudolph do ta zëvendësojë Jorn Rohden në pozitën e të dërguarit të Berlinit në Prishtinë, transmeton Klankosova.tv.
The post Rohde: Të merret seriozisht dialogu, Kosova ta formojë qeverinë e re appeared first on Klan Kosova.