Rodrygo zbulon prapaskenat: Kisha nënshkruar me Barcelonën, por në fund dështoi gjithçka

Rodrygo zbulon prapaskenat: Kisha nënshkruar me Barcelonën, por në fund dështoi gjithçka

Ylli brazilian i Real Madridit, Rodrygo, ka zbuluar se ishte shumë pranë nënshkrimit me Barcelonën përpara se të bashkohej me “Los Blancos”.

Në një intervistë për Diario AS, ai tregoi se gjithçka ishte gati me klubin katalanas, por ndryshoi mendje në momentin e fundit.


“Para se të nënshkruaja për Real Madridin, gjithçka ishte bërë tashmë dhe unë kisha nënshkruar për Barçën. Është e vërtetë. Por babai im më tha që Real Madridi na kishte telefonuar dhe duhej të zgjidhja. Për mua, ishte shumë e lehtë. E dija çfarë doja dhe cila ishte ëndrra ime. As nuk hezitova. Dhe ja ku jam”, tha Rodrygo.

“Isha te Santos dhe fillova të luaja mirë. Barça erdhi për mua dhe gjithmonë kam thënë se është një klub i shkëlqyer dhe kam shumë respekt për ta. Por Real Madridi ishte ëndrra ime dhe vendimi im ishte i lehtë për t’u marrë. Nuk mund të prisja më gjatë për Real Madridin dhe kur erdhi koha, e bëmë në mënyrën e duhur”.

Rodrygo u transferua në Santiago Bernabeu në vitin 2019 për një shumë prej rreth 45 milionë eurosh. Që atëherë, ai është bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Real Madridit, duke ndihmuar klubin të fitojë tre tituj të La Ligës, dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe disa kupa të tjera.

Sulmuesi brazilian përsëriti dëshirën për të qëndruar te Real Madridi, duke theksuar se klubi gjithmonë ka treguar besim ndaj tij, edhe kur është përfolur për një kalim të mundshëm te Manchester City gjatë verës së kaluar.

“Çdo verë, më ndodh e njëjta gjë. Pavarësisht nëse do të largohem apo nëse kam oferta nga ky klub apo ai. Çdo javë, isha në një ekip nëse i kushtoja vëmendje asaj që publikohej. Sigurisht, gjithmonë ka oferta; nuk do të gënjej për këtë. Por gjithmonë ia kam bërë të qartë klubit se dua të vazhdoj të kem sukses këtu, edhe më shumë sesa kam bërë tashmë”, shtoi braziliani.

“Është shumë të kesh fituar dy Liga Kampionësh në moshën time, por tani dua më shumë trofe evropiane me këtë fanellë. Gjithmonë kam thënë: ‘Për sa kohë që Real Madridi më do, unë do të jem këtu.’ Nëse një ditë Real Madridi më thotë: ‘Rodry, gjej një ekip’, unë do të them ‘Në rregull’. Por kjo nuk ka ndodhur. Klubi gjithmonë më ka thënë se mbështeten tek unë”.

“Kur kam pasur një problem, ata kanë qenë aty për mua. Njerëzit spekuluan sepse unë heshta. Por unë e dija se çfarë do të bëja këtë sezon me Real Madridin dhe se do të përqendrohem të jap më të mirën time. Kjo nuk më ka shqetësuar. Isha i qetë dhe ja ku jam… si gjithmonë. Ky është sezoni im i shtatë”, përfundoi ylli brazilian. /Telegrafi/