Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ishte në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, për t’i shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Megjithatë, vendimi i KQZ-së për rinumërimin e 914 vendvotimeve ka shtyrë këtë proces, duke ndikuar në rrjedhën e afatit ligjor për formimin e institucioneve të reja. Vendimi për rinumërim përfshin të gjitha komunat e Kosovës.
Në 10 komuna do të rinumërohen 100% e vendvotimeve: Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Në 28 komuna të tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve, përfshirë: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Rinumërimi nisi të martën pasdite. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, procesi pritet të zgjasë 12 deri në 14 ditë.
Pse po rinumërohen votat?
Sipas kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, vendimi për rinumërim u mor pas analizimit të trendit të mospërputhjeve gjatë vlerësimit fillestar të rezultateve.
“Fillimisht është bërë vlerësimi i 2 për qind të të gjitha vendvotimeve në nivel vendi, ku janë evidentuar dallime të theksuara në disa komuna krahasuar me të tjerat. Në komunat ku trendi i mospërputhjeve ka qenë shumë më i madh, kemi vendosur të shkojmë me rinumërim 100 për qind të votave”, tha Radoniqi.
Sipas tij, në komunat ku mospërputhjet kanë qenë më të ulëta, ato janë konsideruar si gabime të mundshme njerëzore, dhe për këtë arsye është vendosur të rritet përqindja e rinumërimit nga 2 në 10 për qind për verifikim shtesë.
Kryetari i KQZ-së theksoi se këto masa synojnë të garantojnë integritetin e procesit zgjedhor, saktësinë e rezultateve dhe të rrisin besimin e qytetarëve në numërimin e votave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


