“Rikthimi në zyrën e PDK-së”, Petrit Hajdari i kundërpërgjigjet Ramiz Lladrovcit

"Rikthimi në zyrën e PDK-së", Petrit Hajdari i kundërpërgjigjet Ramiz Lladrovcit

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka reaguar ndaj deklaratës së Ramiz Lladrovcit, i cili ka thënë se pas fitores në zgjedhjet lokale do të rikthehet në selinë e vjetër të PDK-së në këtë komunë për të festuar fitoren.

Në reagimin e tij, Hajdari ka shkruar se Lladrovci nuk është rikthyer në zyrat e PDK-së, pasi, sipas tij, ato zyra nuk ndodhen më aty, transmeton Telegrafi.


Ai ka pohuar se në atë vend tashmë gjendet një lokal që është pronë private e një familjari të Lladrovcit.

“Nuk është “kthyer” z. Lladrovci në zyrat e PDK-së sepse zyrat e PDK-së nuk janë aty. Ai lokal është pronë private e familjarit të vet. Atë ambient ai mund ta përdor për subjektin e vet politik e nëse do mund ta inkorporojë edhe Vetëvendosjen që i ndihmoi në zgjedhje, por ato zyre veç të PDK-së nuk janë. Kemi qenë në proces zgjedhor, të cilin nuk e kemi fituar dhe gjithmonë e respektojmë verdiktin e qytetarit. PDK sot në Drenas është në opozitë. Kaq e thjeshtë është. Tjerat janë manipulim i pastër”, ka shkruar Hajdari në reagimin e tij.

Ndryshe, Lladrovci ka fituar komunën e Drenasit, duke marrë 50.20% të votave./Telegrafi/