​“Rikandidimi” i Vjosa Osmanit për presidente, cili është qëndrimi i partive në Kuvend

​“Rikandidimi” i Vjosa Osmanit për presidente, cili është qëndrimi i partive në Kuvend

Gjashtë muaj para se t’i skadojë mandati presidentes Vjosa Osmani, partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë qëndrime të ndryshme nëse do ta përkrahin atë për një mandat të dytë.

Pavarësisht se Kuvendi ende nuk është konstituuar, për Osmanin, e cila javë më parë ka thënë se po e mendon seriozisht mundësinë e rikandidimit, shenja pozitive kanë dhënë në LVV dhe Alternativa, kurse në LDK janë më të rezervuar për të komentuar, ndërkaq, kategorikisht kundër saj për një mandat të dytë në krye të vendit janë në PDK dhe AAK. E analistë politikë thonë se presidentja Osmani nuk i meriton edhe pesë vjet në Zyrën e Presidentit.


Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026. Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para nevojitet një shumicë prej tetëdhjetë votash në Kuvend. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet, atëherë në raundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me 61 vota. Në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Presidentja Osmani ka deklaruar se vendimi për të kandiduar për një mandat të dytë do të merret në fillim të vitit 2026, duke pasur parasysh, sipas saj, interesin e Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, thotë për KosovaPress, se janë miqësorë dhe e përkrahin Vjosa Osmanin, mirëpo ende nuk kanë diskutuar në parti nëse do t’ia japin mbështetjen asaj edhe për një mandat të dytë.

LVV në vitin 2021 e ka votuar dhe mbështetur Vjosa Osmanin që të bëhet presidente.

“Personalisht ia kam dhënë votën Vjosa Osmanit, pasi atëherë kemi garuar së bashku. Natyrshëm, mbështetja e LVV-së nuk ka munguar, madje zonja Osmani është bërë presidente falë mbështetjes së LVV-së dhe në veçanti të Albin Kurtit. Në vazhdim janë edhe disa muaj përpara dhe sigurisht ne do të kemi diskutim brenda LVV-së dhe grupit parlamentar për këtë çështje. Ne jemi shumë miqësorë dhe përkrahim shumë zonjën Osmani, por vendimin do ta marrim pas një diskutimi në struktura”, thotë ai.

E kryetarja e Alternativës, pjesë e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë se aktualisht kanë vlera dhe orientim përbashkues me presidenten Vjosa Osmani.

Ajo shton se deri tani në grupin parlamentar është përmendur çështja e zgjedhjes së presidentit, mirëpo zyrtarisht ende nuk kanë filluar diskutimet për emra konkretë.

“Në kuadër të grupit parlamentar, nuk ka filluar diskutimi ende. Do të thotë, është përmendur situata ku ne do të ballafaqohemi me gjetjen e emrit, qoftë për vazhdimin apo pozitën e presidentit/presidentes së vendit, por që zyrtarisht nuk kemi filluar diskutimet. Këtë mund ta konfirmoj, për shkak se kemi pasur shumë diskutime me të gjitha takimet e seancave të mbledhura të Kuvendit, kemi pasur vazhdimisht takime të grupit parlamentar, bashkë me të gjithë krerët dhe të tri partive. Prandaj për këtë fazë, mund të them se ende nuk ka hyrë në temë të diskutimit tonë të përbashkët emri për këtë pozitë apo vazhdimi i mandatit të Presidentes Osmani… Unë vazhdimisht kam pasur raportet korrekte dhe vazhdoj t’i kem edhe me Presidenten Osmani. Natyrisht bashkëpunimin e kemi të ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Guxo. Mendoj që ka vlera përbashkuese dhe orientim të përbashkët si e shohim zhvillimin dhe avancimin e agjendës”, deklaron Kusari-Lila.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, është më i rezervuar të komentojë nëse do ta përkrahin Vjosa Osmanin për një mandat të dytë si presidente.

Ai thotë për KosovaPress, se çështja e presidentit do të vijë shumë shpejt, andaj duhet një marrëveshje politike për ta zgjidhur të njëjtën.

“Nuk mund të komentoj shumë. Presidentja apo presidenti i ri ka nevojë ‘për 81 vota’ në Kuvendin e Kosovës. Pra, duhet punë dhe përbashkim. Të shohim se kur do të vijë ai moment i ri i cili nuk është larg deri tash. Por edhe për president të vendit dhe krejt institucionet e vendit duhet marrëveshje politike. Pa marrëveshje politike nuk mund të kemi institucione. Institucioni i presidentit është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim”, thekson Zogaj.

Mirëpo, votë për Vjosa Osmanin presidente nuk do të japin në Partinë Demokratike të Kosovës.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë për KosovaPress, se institucioni i presidentit duhet të përfaqësohet më përgjegjshëm sesa është përfaqësuar nga Vjosa Osmani.

Ajo shton se ka pasur pritje më të mëdha nga Osmani, sidomos në raportet me aleatët dhe mbrojtjen e institucioneve të pavarura, por që sipas saj, nuk e ka bërë këtë.

PDK nuk ka votuar për Vjosa Osmanin që të zgjidhet presidente as në vitin 2021.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk ka votuar kur zonja Osmani është kandiduar herën e kaluar. Ne fuqimisht besojmë që institucioni i Presidentit duhet të përfaqësohet më përgjegjshëm se ç’është përfaqësuar në këto vitet e fundit nga zonja Osmani. Të them të drejtën, kam pasur pritje më të mëdha personalisht. Kam shpresuar që zonja Osmani do të jetë më e ndjeshme, posaçërisht në raportet e Kosovës me aleatët dhe në përpjekje për të mbrojtur institucionet e pavarura”, thekson Çitaku.

Kritika më të mëdha për punën aktuale të presidentes Osmani adresojnë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas deputetit, Lahi Brahimaj, presidentja Osmani nuk e ka luajtur rolin e personit unifikues, mirëpo ka qenë, siç thotë ai, vegël e kryeministrit tashmë në detyrë, Albin Kurtit.

Për këto arsye, Brahimaj nënvizon se në asnjë rrethanë nuk do të votojnë për presidenten Vjosa Osmani që të marrë edhe një mandat të dytë.

“Jo, në asnjë rrethanë. Ajo asnjëherë deri sot nuk e ka luajtur rolin e personit unifikues, pasi çdoherë ka qenë vegël e zotëri Kurtit dhe ka qenë në shërbim të tij. Asnjëherë nuk ka qenë në shërbim të asaj për çka është zgjedhur presidente”, thotë ai.

Ndërkaq, analisti politik, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress, se presidentja Osmani ka ambicie që të rikandidojë për presidente, por që sipas tij, e njëjta nuk e meriton edhe një mandat.

“A e meriton edhe një mandat tjetër? Unë mund të them me rehati të madhe që jo. Ajo nuk e ka luajtur rolin të cilin e ka obliguar Kushtetuta e vendit. A e ka vullnetin personal ajo? Gjithsesi që po dhe e ekspozon këtë vullnet, por mundësinë për t’u rizgjedhur konsideroj që nuk e ka. Subjektet politike nuk e kanë asnjë arsye të vetme që ta rizgjedhin për presidente pas prillit të vitit të ardhshëm”, thotë ai.

Aktualisht, legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, që rrjedh nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk është konstituar ende si pasojë e moskompletimit të trupave të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese më 30 shtator ka dalë me një njoftim ku ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast se nuk kompletohen trupat e legjislativit.

Vendimi i Kushtetueses është pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.