Kombëtarja e Shqipërisë ka shënuar fitore historike dhe tepër të rëndësishme në udhëtim te Serbia.
“Kuq e Zinjtë” fituan me rezultat minimal 0-1, falë supergolit të Rey Manajt.
Shqipëria e nisi mirë, për të rrezikuar fillimisht me Manaj që tentoi të shënonte me kokë.
Pas kësaj, Serbia krijoi disa raste të rrezikshme përmes Dusan Vlahovic, megjithatë mbrojtja “Kuq e Zi” ishte e pathyeshme pranë Thomas Strakoshës, që bëri super pritje gjithashtu.
Kur askush s’e priste, në skenë doli Rey Manaj që me një vollej të fuqishme e shtangu Serbinë për ta kaluar Shqipërinë në epërsi.
E më e bukura ishte festa me shqiponjë që qetësoi tifozët serbë, të cilët që nga fillimi i ndeshjes këndonin “Kosova është Serbi” ose “vdekje shqiptarëve”.
Pjesa e dytë pastaj ishte më e qetë, Shqipëria ishte më e sigurt dhe e ruajti më së miri rezultatin. Pavarësisht dominimit në posedim, nikoqirët nuk është që krijuan ndonjë rast që vlen të ceket.
Shqipëria gjithashtu kishte rastin e artë për ta vulosur fitoren, mirëpo në minutën e fundit të kohës shtesë Nedim Bajrami dështoi të shënonte përballë portierit serb.
Kësisoj, Shqipëria është vetëm një fitore larg sigurimit të play-offit për Kampionatin Botëror, për të mbledhur 11 pikë në grupin K, katër më pak se Anglia derisa Serbia renditet e treta me shtatë sosh./Telegrafi/