Sulejman Shabani
Me rastin e ikjes në amshim të Ilmi Ramadanit – Bacit
Në fëmijërinë e hershme dëgjoja shpesh biseda për Koretinin në familjen tonë. Koretini përmendej, sepse gjatë Luftës së Dytë Botërore familja jonë kishte jetuar aty. Gjithmonë përmendej se si axha Mursel ishte plagosur në Koretin dhe, pas disa ditësh, kishte ndërruar jetë në spitalin e Prishtinës. Shpesh e imagjinoja qerren me kuaj që e kishte bartur axhën Mursel prej Koretinit deri në Prishtinë. Mendoja se si do të ketë ndier dhimbje dhe se gjaku i tij do të ketë rrjedhur gjatë rrugës, duke u përzier me pluhurin. Axha Mursel ishte varrosur në varrezat e Gjilanit, por sot nuk ka asnjë gur varri që të dëshmojë ku pushojnë eshtrat e tij!
Kur shkova në vitin e parë të gjimnazit të Kamenicës dhe fillova të banoj në Koretin te daja Dalip, kisha një ndjenjë të veçantë për këtë fshat. Pranvera dhe vera i falnin një bukuri të jashtëzakonshme fshatit dhe dajës Dalip i thosha: “Koretini është Elbasan i vogël – kërthizë e Shqipërisë”.
Pikërisht në Koretin, në një ditë korriku ose gushti të vitit 1977, u ula të lexoj gazetën “Rilindja”. Mbaj mend që isha në korridor, të cilin verës e përdornim si dhomë, për shkak se ishte më freskët. Në rrugë disa fëmijë luanin me “pupëza” dhe pranë tyre kaluan disa gra që kishin kokën të mbuluar me çarçafë me kutiza të kuqe e të bardha, ndërsa nga valët e “Radio Prishtina” emetohej një këngë nga Nazmije Hoxha. Daja Dalip ishte ulur përballë meje, pinte kafe dhe e shoqëronte me një cigare Bozhur. E hapa “Rilindjen” dhe pas pak minutash hasa shkrimin që tregonte se në burgun e Pozharevcit kishte pasur revoltë, ku kishte edhe të vdekur. Ia lexova lajmin dajës Dalip dhe i shpreha brengën, sepse në këtë burg ishte nipi i familjes sonë, djali i hallës Lalifere – Ilmi Ramadani. Të dy u zhytëm në mendime dhe secili në vete filluam të mendojmë për këtë ngjarje.
Më vonë dolëm dhe bëmë një shëtitje kah lumi Kriva Reka. Më dukej sikur lumi sillte ushtimën e maleve prej Gollakut, por kurrë nuk arrita t’i largoj mendimet nga ajo që kisha lexuar. Në mbrëmje shkova te prindërit e Ilmiut, te halla dhe axha Selman. Ishin vetëm. Axha Selman ishte shumë i zymtë, dhoma ishte mbushur me tym duhani. Kur më panë, u gëzuan që do të ishim tre dhe biseda do të bëhej më e gjerë, që të kishin me kë të ndanin brengat. I pyeta për lajmin, por nga burgu nuk kishte ardhur asnjë informacion, gjithçka e kishte mbuluar heshtja.
Në mur ishte e varur fotografia e Sylë Zarbincës, që mu duk sikur na shikonte çuditshëm!
Por, si e kujtoi këtë ngjarje, Ilmi Ramadani?
Pas hetimeve shumë të rënda, me tortura të panumërta në burgun hetues të Prishtinës, më në fund na gjykuan me shumë vite burg. Në krye të aktakuzës ishte Adem Demaqi, i dënuar me 15 vjet burg. Pastaj ishin Skënder Kastrati, Hasan Dermaku, Selatin Novosella, Osman Dumoshi etj., dhe në mesin tonë edhe martiri i mëvonshëm, Rexhep Mala.
Prej burgut hetues të Prishtinës më dërguan në burgun hetues të Pejës, e pastaj në burgun e madh të Pozharevcit. Paralelisht me ne, që u dënuam në gjyqin e Prishtinës, u dënuan edhe një grup shokësh në gjyqin e Vranjës, në mesin e tyre Fazli Avdullahu, Jetullah Arifi etj.
Kur më dërguan në burgun e Pozharevcit, aty ishin edhe disa shokë të tjerë, por të sistemuar në pavijone të ndryshme, duke punuar në punë të ndryshme. Në fillim të mbanin në pavijonin pranues. Këtu edhe bëhej ndarja nga “bota civile”: të jepnin uniformën e burgut, zakonisht rroba të vjetra dhe me numra të mëdhenj, si formë presioni psikologjik për të treguar se fillonte një jetë e re – e barabartë me ferrin. Vetëm se mungonte shënimi në derë, si te “Komedia hyjnore”: “O ju që hyni këtu, humbni shpresën e shpëtimit”.
Në këtë pavijon pranues gjeta edhe dy të burgosur nga Mitrovica, të dënuar për krime ordinere. Në depon e veshmbathjeve punonte një shqiptar nga Klina, i dënuar për vrasje, që quhej Gjergj Gjergji. Kur na ndanë uniformat, ai ma dha mua një uniformë të re, gjë që më bëri përshtypje.
Më vonë, gjatë shëtitjes, e pashë që edhe një i burgosur tjetër kishte uniformë të re. Ky ishte Lubo Zemunaçi (Ljubomir Magash, lindur më 1948), njeri famëkeq i nëntokës jugosllave e ndërkombëtare, i vrarë më 10 nëntor 1986 në Frankfurt nga Goran Vukoviqi.
Pas disa ditësh, më caktuan të punoja në metalurgji, një punë shumë e rëndë dhe njëherësh tepër e rrezikshme. E vetmja e mirë ishte se atje takova shokët: Selatin Novosellën, Irfan Shaqirin, Fatmir Salihun, Jashar Aliun, Jetullah Arifin, Fazli Abdullahun e të tjerë. Po aty njoha edhe të burgosurin e famshëm, Vllada Dapçeviq, ish-kolonel i LDB-së, që kishte kaluar Goli Otokun, Shqipërinë, Bashkimin Sovjetik, Kinën, dhe që ishte kidnapuar nga UDB-ja në Bukuresht më 1975.
Me kalimin e kohës, falë ankesës për frikën nga makineritë e rënda, më transferuan në repartin e elektros. Gjatë vikendeve, me shokët takoheshim në shëtitjet e përbashkëta, ku luanim edhe futboll.
Një ditë vere, gjatë shëtitjes te stadiumi i burgut, ndodhi revolta.
Ajo shpërtheu në Pavijonin V, ku fillimisht u zunë peng gardianët nga të burgosurit, serbë dhe shqiptarë bashkë, për t’i bërë presion drejtorisë për kushte më të mira. Por, serbët shpejt tradhtuan dhe filluan të sulmojnë shqiptarët.
Në përleshje, një gardian u ther me thikë dhe disa të burgosur serbë u plagosën rëndë, dy prej të cilëve vdiqën.
Ne që ishim në stadium dëgjuam alarmin – “gongun”, siç e quanim në burg – dhe na kthyen me ngut nëpër pavijone. Gardianët, duke nxitur urrejtjen, u thoshin serbëve se revoltën e bënë shqiptarët. Situata u bë shumë e rrezikshme: serbët na rrethuan nga të gjitha anët. Vetëm falë ndërhyrjes së një të burgosuri vllah, turma u qetësua për një moment.
Sulmi i dytë ishte edhe më i ashpër! Tre serbë, të cilëve u kishim dhuruar ushqime gjatë vizitave të familjarëve, na mbrojtën duke na hedhur një thikë nën karrige. Shoku im nga Mitrovica e mori dhe kur serbët e panë, u tërhoqën, ndërsa situata u qetësua përkohësisht. Pak më vonë, duke qenë në gjumë, gardianët më kapën me forcë nga shtrati dhe më bashkuan me shokët Fazli Abdullahun, Bektesh Rrudhanin, Jetullah Arifin etj. Na futën në “Maricë” dhe na nisën në alarm drejt një burgu tjetër. Gjatë rrugës, Fazliu ma dha xhemperin e tij, sepse po ngrija nga të ftohtit.
Kur arritëm në burgun e Smederevska Pallankës, na pritën me sharje e britma. Në katin e dytë na detyruan të kalojmë në mes të një kordoni të gjatë të gardianëve e inspektorëve civilë të cilët na rrihnin me mjete të ndryshme, aq sa asnjëri prej nesh nuk arriti në fund të korridorit në këmbë. Nuk u ngopën me kaq, por na kthyen prapë për të kaluar edhe një herë nëpër atë ferr. Më pas, nëpër dhoma na futën zvarrë, sepse nuk kishim më forcë të ngriheshim. Shokët e mi, Fazliu, Bekteshi, një ashkali i dënuar për vrasje (Abazi) dhe një mysliman nga Novi Pazari (Rizo), u rrahën rëndë. Fazliun e torturuan duke i futur kokën në ujë dhe e sollën në dhomë gjysmë të vdekur.
Pas disa ditësh, na transferuan sërish, kësaj radhe në Zajçar. Udhëtimi në “Maricë” ishte një torturë tjetër – pa ajër, të lidhur me pranga, duke vjellë nga mungesa e oksigjenit gjë që pamundësonte të merrnim frymë, dhe në një moment mendova se Fazliu me gjithë gjendjen që ishte – nuk do të mbijetonte.
Në burgun e Zajçarit kushtet ishin çnjerëzore: ndërtesë e vjetër, pa kanalizim, pa ngrohje, me krimba nëpër WC. Vizitat na i kushtëzonin të flisnim serbisht, gjë që e refuzuam dhe nuk dolëm fare. Fillova të kisha dhimbjen të forta në veshka dhe një ditë u paraqita te mjeku. Por, mjeku, përpara drejtorit të burgut, më tha me cinizëm: “Ti ke kancer”! E dija se ishte gënjeshtër dhe këtë e bënte për të më thyer shpirtërisht. Mirëpo, në çast ia ktheva: “Ti je kriminel! Edhe nëse e kam kancerin, mua do të më shërojnë mjekët shqiptarë”. Për këtë kundërshtim, më dërguan në qeli izolimi – një dhomë pa dritare, ku në vend të shtratit kishte vetëm një derë metalike e sa herë që rrotullohesha, trupi më binte mbi hekur.
Nga kjo skëterrë jam liruar prej burgut të parë. (Si pasojë e revoltës së Pozharevcit, u dënuan me pushkatim Gjergj Gjergji, Avdiu prej Rugovës së Pejës dhe Milaimi prej Tetove).