Presidenti Donald Trump ka refuzuar një plan izraelit gjatë ditëve të fundit për të vrarë Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka raportuar Reuters duke iu referuar burimeve nga dy zyrtarë amerikanë.
“A e kanë vrarë iranianët ndonjë amerikan deri tani? Jo. Derisa ta bëjnë një gjë të tillë, nuk po flasim fare për të sulmuar udhëheqësinë politike,” tha një nga burimet, një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Sipas Reuters, zyrtarët më të lartë amerikanë kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët izraelitë që nga nisja e sulmit të madh të Izraelit ndaj Iranit me synimin për të ndalur programin e tij bërthamor.
Ata thanë se izraelitët kishin raportuar se kishin një mundësi për të vrarë udhëheqësin më të lartë iranian, por Trump i kishte tërhequr ata nga realizimi i këtij plani.
Zyrtarët nuk treguan nëse Trump-i vetë e kishte dhënë këtë mesazh, por konfirmuan se ai ka qenë në komunikim të shpeshtë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Kur u pyet për raportimin e Reuters-it, Netanyahu, në një intervistë të dielën për kanalin Fox News, në emisionin “Special Report With Bret Baier,” tha: “Ka aq shumë raporte të rreme për biseda që nuk kanë ndodhur kurrë, dhe nuk do të merrem me to.”
“Por mund t’ju them, mendoj se ne bëjmë atë që duhet të bëjmë, dhe do ta bëjmë atë që duhet të bëjmë. Dhe mendoj se Shtetet e Bashkuara e dinë çfarë është e mirë për vetë Shtetet e Bashkuara”, tha Netanyahu.
Megjithatë, Presidenti Trump pranoi pak më parë se përfshirja e ShBA-ve në konfliktin midis Izraelit dhe Iranit është e mundshme, gjatë një interviste telefonike me ABC News të dielën.
“Nuk jemi të përfshirë në këtë moment. Është e mundur që të përfshihemi. Por për momentin nuk jemi të përfshirë,” tha Trump për Rachel Scott të ABC-së.
Kur u pyet nëse ka ndonjë afat për Iranin që të ulet në tryezën e bisedimeve, presidenti u përgjigj “jo,” sipas Scott.
“Jo, nuk ka afat, por ata po flasin. Ata duan të arrijnë një marrëveshje. Po flasin. Vazhdojnë të flasin,” tha Trump.
Trump-i ka shpresuar për një rifillim të negociatave mes ShBA-së dhe Iranit mbi programin bërthamor të Teheranit. Bisedimet që ishin planifikuar të mbaheshin të dielën në Oman u anuluan si rezultat i sulmeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!