Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë kësaj jave, vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme me origjinë perëndimore dhe veriperëndimore, të cilat do të kushtëzojnë mot të ndryshueshëm dhe me reshje.
Sipas institutit, në zonat e ulëta pritet shi me intensitet mesatar deri në të lartë, ndërsa në viset e larta malore reshjet do të jenë të përziera – shi dhe borë, veçanërisht në lartësitë mbi 1,500 metra mbi nivelin e detit.
Ky episod i paqëndrueshmërisë atmosferike do të zgjasë deri të mërkurën, duke shoqëruar vendin me erëra të forta jugperëndimore, ulje të përkohshme të temperaturave, si dhe rritje të lagështisë relative në ajër.
“Nga e enjtja e javës, pritet stabilizim gradual i kushteve meteorologjike, me intervale me diell dhe rritje të lehtë të vlerave termike, si në temperaturat minimale ashtu edhe ato maksimale. Në fundjavë, moti parashihet më i qëndrueshëm, me kushte të favorshme për veprimtari bujqësore dhe udhëtime”, thuhet në njoftim.
Sot moti do të jetë kryesisht i vranët dhe me riga shiu. Temperaturat minimale do të sillen nga 5-7°C kurse ato maksimale nga 8-11°C.
Era do të fryjë kryesisht nga veriperendimi e lehte dhe lokalisht e fortë. /Telegrafi/