Ish përzgjedhësi i Shqipërisë Edy Reja thotë se Sylvinho nuk ka sjellë ndonjë lojtarë të ri, ndërsa ka zbuluar disa prapaskena interesante se si “Kuq e Zinjtë” ishin pranë t’i humbin dy yjet e ekipit, Kristjan Asllanin dhe Mario Mitajn.
Shqipëria është pranë arritjes historike dhe të sigurojë play-offin e Kampionatit Botëror, pas fitores në Serbi me rezultat 0-1.
Këtë fitore të madhe e ka analizuar vetë Reja, i cili në një intervistë për “Klan Neës” deklaroi se Sylvinho e ka kompletuar punën e tij, pasi sipas tij ai ka sjellë të gjithë lojtarët.
“Nuk ka lojtarë të rinj në këtë Kombëtare. Ishin të gjithë më mua. Kush janë ata që kanë thënë se Sylvinho ka sjellë lojtarë të rinj? Asani ishte zbulim i ri, Shehu dhe Hoxha që luan te Dinamo. Këta ishin lojtarë të rinj kur isha unë, kam nxjerrë 50 lojtarë te Shqipëria”.
“Kam respekt për Sylvinhon dhe nuk dua që të mos duket. Pas periudhës sime, ka bërë rritjen maksimale për skuadrën. Ka meritë të jashtëzakonshme, por janë lojtarët e mi. Nuk është aspak e vërtetë që janë lojtarë të rinj”.
“Asllanin gjithashtu e mora unë, edhe pse ishte pranë të firmoste me Italinë. Fola me menaxherin dhe e binda të rikthehej te Shqipëria. Punova një vit që të vinte”.
“Mitaj gjithashtu, donte të shkonte te Greqia. Fola me babain e tij, ai e preferonte Greqinë. Një meritë i shkon grupit që i bindëm. Tani të gjithë janë të pjekur dhe po luajnë mirë për skuadrat e tyre”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Shqipëria do ta sigurojë edhe matematikisht play-offin me një pikë ndaj Andorrës, ose në rast që Serbia lëshon pikë në dy ndeshjet e radhës./Telegrafi/