Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik, Iniciativa Qytetare për Skenderaj (Kandidati Sokol Halili), e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.54/2025, të datës 26.09.2025.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga gjendja faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, lidhur me dënimin e subjektit politik Iniciativa Qytetare për Skenderaj, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhje Lokale në Republikën e Kosovës, që do të mbahen më datë 12 Tetor 2025.
“Kolegji i Gjykatës Supreme konstatoi se në këtë çështje juridike, gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe nuk është shkelur ligji në dëm të parashtruesit të ankesës, prandaj, pretendimet ankimore janë refuzuar si të pabazuara”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/