Real Madrid ka humbur një tjetër mbrojtës për shkak dëmtimi, me Dean Huijsen që është lojtari më i fundit i prekur.
Të mërkurën, Federata Spanjolle e Futbollit konfirmoi se Huijsen është detyruar të tërhiqet nga grumbullimi i kombëtares së Luis de la Fuente për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Gjeorgjisë dhe Bullgarisë. Ai është zëvendësuar nga mbrojtësi i Athletic Club, Aymeric Laporte.
“Dean Huijsen largohet nga grumbullimi i Kombëtares për shkak dëmtimi për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Gjeorgjisë në Elche dhe Bullgarisë në Valladolid”.
“Mbrojtësi i Real Madridit mbërriti në grumbullim të hënën në mbrëmje me shenja lodhje muskulore. Të martën nuk u stërvit dhe klubi i tij u informua se gjendja nuk po përmirësohej”.
“Të mërkurën në mëngjes iu nënshtrua një kontrolli mjekësor që konfirmoi një dëmtim muskulor, për të cilin Real Madrid tashmë është njoftuar. Ai largohet nga grumbullimi me urimet tona për një rikuperim të shpejtë”, thuhej në njoftimin e Federatës.
Menjëherë pas kësaj, Real Madrid publikoi raportin mjekësor për Huijsen, duke zbuluar se “ai është diagnostikuar me një dëmtim muskulor në muskujt e këmbës së majtë.
Huijsen ka qenë një lojtar kyç për Xabi Alonson që kur iu bashkua klubit nga Bournemouth në qershor, por tani do të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë të shkurtër.
Sipas Diario AS, lojtari pritet të mungojë për 12 deri në 15 ditë, që do të thotë se ai do të mungojë kundër Getafes dhe në dyshim për ndeshjen ndaj Juventusit, por më e rëndësishmja, do të jetë në dispozicion për ‘El Clasico’-n./Telegrafi/