Real Madrid ka shtuar qendërmbrojtësin e RB Leipzig, Castello Lukeba, në listën e objektivave të mundshëm për afatin kalimtar të verës së ardhshme, bashkë me emra të tjerë si William Saliba dhe Ibrahima Konate.
Los Blancos po planifikojnë të rinovojnë repartin defensiv, pasi Antonio Rudiger dhe David Alaba pritet të largohen në fund të sezonit kur t’u skadojnë kontratat.
Megjithatë, opsioni i William Salibas duket se është përjashtuar, pasi mbrojtësi francez ka rinovuar së fundmi kontratën me Arsenal.
Nga ana tjetër, situata e Konates është më premtuese, pasi marrëveshja e tij me Liverpool skadon verën e ardhshme, duke e bërë një objektiv të realizueshëm për madrilenët.
Në këtë kuadër, Castello Lukeba, 22 vjeç, shihet si një nga talentet më premtues të Bundesligës. Raportime të mëparshme kanë zbuluar se lojtari ka një klauzolë lirimi prej 90 milionë eurosh.
Lukeba vlerësohet për aftësitë e tij në ndërtimin e lojës nga prapavija, pasimin e saktë, transportimin e topit dhe inteligjencën në aspektin mbrojtës.
Ai është pjesë e brezit të ri të mbrojtësve francezë, së bashku me Ibrahima Konate dhe Dayot Upamecanon, i cili po ashtu pëlqehet nga Real Madridi./Telegrafi/